E çojnë në Gjykatë me Polici, shpërthen gjyqtarja: Si ma bëjnë mua këtë

Ka mbërritur me polici në Gjykatë, gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila tha se shteti po tenton të bëjë spektakël me rastin e saj.

“Është e turpshme mor, nuk ka shkresë mor, si ma bëjnë mua mor, si ma bëjnë mua. Le të më dënojnë mua, kjo është antiligjore, do bëjnë spektakël këta me mua”, janë këto fjalët e gjyqtares Mimoza Margjeka teksa është duke u dërguar brenda në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Margjeka do të njihet sot me rivlerësimin e masës së arrestit ndaj saj, për shkak se dyshohet se ka marrë 2 mijë euro, kundrejt lirimit nga burgu të një personi të dënuar.

Margjeka është dërguar me të paktën dy orë vonesë në sallën e gjyqit, ndërsa pretendon se nuk i është dhënë asnjë shkresë për këtë, dhe se janë shkelur të gjitha procedurat ligjore.

Gjyqtarja Margjeka pretendon se gjatë shoqërimit të saj nuk ka pasur asnjë police grua, siç e parashikon ligji dhe pretendon se e gjitha është një proces i stisur pasi nuk ka njohur zgjedhjen e Valbona Sakos në krye të Bashkisë së Durrësit.


Shtuar 12.09.2020 11:06