Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se vendet europiane po vështirësojnë përpjekjet për një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Sipas tij, ato kundërshtojnë bisedimet dypalëshe me Rusinë dhe kërkojnë që në një marrëveshje të mundshme të përfshihen edhe trupa europiane.
Gjatë një interviste për televizionin shtetëror bjellorus, në një vend aleat të Moskës, Peskov tha se qëndrimet e Europës nuk po kontribuojnë në procesin negociues. Bisedimet po zhvillohen nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe marrin pjesë përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës, raporton Reuters.
Të lidhura
None found
Ai u shpreh veçanërisht kundër idesë për dislokimin e një kontingjenti ushtarak europian në Ukrainë, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
“Pikërisht kjo është arsyeja pse nisi operacioni special ushtarak”, citohet të ketë thënë Peskov, duke përdorur shprehjen e Kremlinit për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas zëdhënësit rus, vendet europiane duan të marrin pjesë në negociata, ndërsa paralelisht mbështesin masa që, në këndvështrimin e Moskës, do të mundësonin vazhdimin e konfliktit.
Peskov bëri të ditur se Moska ishte informuar vetëm të dielën që vendet europiane nuk pranonin zhvillimin e bisedimeve dypalëshe me Rusinë dhe kërkonin që dialogu të zhvillohej në format trepalësh.
Moska ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur vendosjen e forcave europiane në territorin e Ukrainës në kuadër të një marrëveshjeje paqeje.
Raundi i fundit i bisedimeve trepalëshe u zhvillua në fillim të këtij muaji dhe ishte i pari i tillë që prej shkurtit. Pas takimit, negociatori amerikan Steve Witkoff tha se Rusia kishte pranuar që përfaqësues europianë të merrnin pjesë në takimet e ardhshme.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshëndeti përfshirjen e Europës. Nga ana tjetër, Moska deklaroi se pjesëmarrja e vendeve europiane do të varej nga propozimet që ato do të paraqisnin në tryezën e negociatave.








