Njëqind kandidatë morën pjesë në testin me shkrim të organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në kuadër të rekrutimit të 34 prokurorëve të rinj të shtetit. Ata që do të përzgjidhen do të shërbejnë në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës; 10 nga pozitat janë të rezervuara për komunitetin serb.
Nga pjesëmarrësit në test, 48 ishin femra dhe 52 meshkuj. Mes tyre kishte tre kandidatë nga komuniteti serb dhe një nga komuniteti boshnjak.
Të lidhura
None found
Testimi u zhvillua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Sipas njoftimit, organizimi i tij u mbështet në transparencë, integritet, meritokraci dhe mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët. Procesin e drejtoi Arian Gashi, kryesues i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, bashkë me anëtarët e tjerë të Komisionit.
Në njoftim bëhet e ditur se testi me shkrim u hartua po atë ditë kur u mbajt, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET. Ata ndoqën edhe gjithë zhvillimin e testimit. Sipas njoftimit, kjo praktikë synon të mbrojë integritetin e testit, të rrisë besimin te objektiviteti dhe paanshmëria e përzgjedhjes, si dhe të sigurojë mbikëqyrje të pavarur e transparencë.
Me përfundimin e testit me shkrim, rekrutimi do të vijojë me fazat e tjera, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara.







