Interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel ka shkaktuar reagime për shkak të pretendimeve territoriale ndaj Kosovës që përmban ajo.
Në një përgjigje për “Bota sot”, Komisioni Evropian sqaroi se këngën e kishte zgjedhur vetë grupi muzikor dhe se kjo përzgjedhje nuk ishte dakorduar me Komisionin. Institucioni shprehu keqardhje dhe theksoi se interpretimi nuk përfaqëson qëndrimin e tij apo të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ndaj Kosovës dhe historisë së saj.
Të lidhura
None found
Ish-ushtaraku Hafir Hoxha i tha “Bota sot” se Serbia, ashtu si Rusia, ka aleatë dhe mbështetës në qarqe politike të Bashkimit Evropian. Sipas tij, ajo ka krijuar dhe ruajtur lidhje tradicionale politike, diplomatike, kulturore e sportive me shtete dhe qarqe evropiane, më të afërta se lidhjet që Kosova ka arritur të ndërtojë me to.
Hoxha kujtoi se politika nacionaliste dhe shoviniste e Serbisë gjatë kohës së Millosheviqit u bë e dukshme me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Ai tha se zhvillimet në Slloveni dhe veçanërisht në Kroaci vërtetuan paralajmërimet e shqiptarëve të Kosovës për represionin, diskriminimin dhe shovinizmin serb, ndonëse për vite me radhë këto paralajmërime nuk ishin dëgjuar ose kuptuar sa duhej ndërkombëtarisht.

Sipas tij, Serbia nuk i ndali përpjekjet për të kundërshtuar shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës edhe pasi u detyrua të tërhiqej prej saj në vitin 1999. Përveç veprimtarisë diplomatike, politike, ekonomike, informative dhe ushtarake, ajo vazhdoi të përdorte edhe forma të tjera ndikimi.
Hoxha tha se interpretimi i fundit në Bruksel nga një grup muzikor slloven duhet parë në këtë kontekst. Ai vuri në dukje se në Slloveni ka edhe grupe muzikore serbe, por zgjedhja e një grupi slloven për ta kënduar këtë këngë në një aktivitet të organizuar në kuadër të BE-së i jep ngjarjes një domethënie tjetër simbolike dhe politike.
Ai u shpreh se Serbisë, me sa duket, nuk i është dashur shumë përpjekje për të arritur te një grup muzikor slloven për interpretimin e këngës. Megjithatë, Hoxha theksoi se nuk po pretendon një organizim të drejtpërdrejtë nga Serbia, pasi për një përfundim të tillë duhen prova. Sipas tij, lidhjet e afërta kulturore, sportive dhe diplomatike që Serbia ka ruajtur me qarqe evropiane krijojnë mundësi ndikimi që Kosova nuk duhet t’i nënvlerësojë.
Hoxha argumentoi se arti dhe kultura, në rrethana të caktuara, mund të shërbejnë për të përcjellë mesazhe politike dhe për të ndikuar opinionin publik. Sipas tij, një këngë e tillë mund të mos shkaktojë habi kur këndohet në Serbi, por merr peshë tjetër kur interpretohet në një veprimtari të BE-së ku diskutohet zgjerimi dhe e ardhmja evropiane e rajonit.
Për këtë arsye, ai kërkoi që Kosova të kërkojë llogaridhënie institucionale nga Bashkimi Evropian: kush e propozoi këngën dhe kush e miratoi për programin, nëse u shqyrtuan përmbajtja dhe konteksti i saj historik e politik, si u lejua përcjellja e një mesazhi të tillë pa marrë parasysh ndjeshmërinë dhe realitetin politik në Kosovë, si dhe çfarë masash do të merren për të shmangur përsëritjen e provokimeve të ngjashme.
Hoxha tha se Kosova nuk duhet të mjaftohet me shprehje keqardhjeje dhe deklarata diplomatike, por duhet të kërkojë përgjegjësi dhe standarde të barabarta. Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për privilegje apo censurë të artit, por për respekt dhe përgjegjësi institucionale kur arti përdoret për mesazhe nacionaliste e pretendime politike ndaj një shteti sovran.
Sipas tij, përpjekja për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës nuk kufizohet në diplomaci dhe politikë. Ajo zhvillohet edhe në kulturë, sport, informim dhe kudo ku formohet opinioni publik ndërkombëtar.






