Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, thotë se Kosova mund ta kishte shmangur krizën e tanishme energjetike po të kishte vijuar ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe rehabilitimin e termocentraleve ekzistuese.
Në një prononcim për KosovaPress, ai tha se mosrealizimi i projekteve me linjit, mes tyre “Kosova e Re” dhe “Kosova C”, e ka mbajtur vendin të varur nga importi i energjisë elektrike. Sipas Çekut, një bllok i ri prej 500 megavatësh do të kishte ndihmuar në sigurimin e furnizimit nga prodhimi vendor.
Të lidhura
None found
Çeku vlerëson se ndërtimi i këtyre kapaciteteve do të kishte kushtuar më pak se importet e deritanishme dhe do t’i kishte sjellë shtetit një përfitim financiar të përafërt prej mbi 40-50 për qind. Ai përmend si zgjidhje edhe rehabilitimin e thellë të blloqeve të “Kosova A” dhe “Kosova B”, krahas zhvillimit më të fuqishëm të energjisë së gjelbër. Sipas tij, këto masa do të kishin parandaluar vështirësitë e furnizimit me të cilat vendi po përballet në prag të dimrit.
Ndërkohë, ish-ministri e cilëson gjendjen veçanërisht shqetësuese për bizneset. Përdorimi i gjeneratorëve dhe çmimi i naftës, thotë ai, po rrisin koston e prodhimit në industri, përfshirë prodhimin e mishit, dhe po rëndojnë sidomos sektorin privat. Edhe buxhetet familjare, sipas Çekut, po përballen vazhdimisht me çmime të larta të energjisë.
Ai i kërkon Qeverisë së Kosovës të veprojë urgjentisht për rehabilitimin e blloqeve dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja, përfshirë një bllok me gaz amerikan. Çeku thotë se prodhimi nga linjiti dhe nga gazi amerikan do të kushtonte më pak se blerja e energjisë me çmime të larta, së cilës i shtohen edhe pagesat e transitit për sjelljen e saj në Kosovë. Ai kërkon gjithashtu më shumë prodhim vendor dhe investime në burime alternative, si energjia diellore dhe ajo e erës.
Sipas Çekut, çmimi i energjisë mund të rritet më tej, në varësi të tregjeve ndërkombëtare dhe krizave globale, ndaj të cilave tregu i Kosovës është i ndjeshëm. Ai vëren se projekti i baterive ende nuk është realizuar dhe se kostoja e energjisë, edhe kur mbulohet nga Qeveria përmes subvencioneve, në fund paguhet nga taksat e qytetarëve dhe bizneseve.
Çeku paralajmëron se kostot e larta mund t’i shtyjnë bizneset vendore t’i zhvendosin investimet dhe prodhimin në shtete të tjera. Për të shmangur këtë rrezik, ai kërkon që çështja e energjisë të mos politizohet, të krijohet një grup pune me përfshirjen e Parlamentit dhe Qeverisë dhe të arrihet konsensus politik për zhvillimin e sektorit. Në të kundërt, sipas tij, Kosova mund të paguajë çmime disa herë më të larta për energjinë në vitet e ardhshme.
Duke folur për vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, Çeku thekson se zgjidhja afatgjatë mbetet shtimi i prodhimit vendas përmes investimeve në kapacitete të reja, për shkak të kostos së lartë të importeve.
Qeveria e Kosovës e miratoi të hënën propozimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe. Kryeministri Albin Kurti tha se masa është përgjigje ndaj bllokimit nga Serbia të dy linjave të interkoneksionit 400 kilovolt, të cilat, sipas tij, pengojnë kalimin e energjisë nga shtete të tjera drejt Kosovës. Ai sqaroi se linjat nuk nevojiten për import nga Serbia, por për qarkullimin e lirë të energjisë nga vendet e tjera.
Kurti bëri të ditur se, në këtë fazë, nga masa do të përjashtohet furnizuesi i themeluar sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë. Megjithatë, ai paralajmëroi se, nëse autoritetet serbe nuk reflektojnë, Qeveria mund t’i zgjerojë masat edhe ndaj këtij furnizuesi dhe të rishqyrtojë në tërësi zbatimin e marrëveshjes.







