Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë caktimin e paraburgimit për ish-ministrin e Kulturës, Astrit Haraqija, dhe pesë personat e tjerë të arrestuar gjatë aksionit kundër trafikimit të kokainës: Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.
Në kërkesën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria paraqet dyshimet edhe ndaj Baftije Fekës, Mërgim Stanovcit dhe Albert Krasniqit. Sipas dokumentit, të pandehurit dyshohen se, në periudhën e mëparshme dhe në vazhdimësi deri më 14 nëntor 2026, kanë vepruar në zona të ndryshme të Prishtinës si pjesë e një grupi, në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar. Duke pasur role të ndara dhe me synim përfitimin e kundërligjshëm pasuror, ata dyshohen se, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për Barnat Narkotik, kanë poseduar, dorëzuar, shitur dhe shpërndarë kokainë.
Të lidhura
None found
Prokuroria e përshkruan Jeton Stanovcin si drejtues të grupit. Sipas saj, ai furnizohej me narkotikë nga Mërgim Stanovci, i cili ndodhet në arrati, Astrit Haraqija dhe Alban Maloku. Lënda ndahej fillimisht në sasi të vogla dhe më pas i dorëzohej Gëzim Fekës. Ky i fundit mbante një pjesë për vete, ndërsa pjesën tjetër ua jepte Arjanit Beqirit dhe Albert Krasniqit. Ata dyshohen se e shpërndanin substancën te persona të tjerë, duke e shitur në doza të vogla përmes veturave të marra me qira.
Baftije Feka dyshohet se ruante sasitë që shiste bashkëshorti i saj, Gëzimi, si edhe paratë e siguruara nga shitjet. Albana Xhemajli-Ramadani, bashkëjetuese e Jeton Stanovcit, sipas kërkesës mblidhte nga Gëzimi, Arjaniti dhe Alberti pagesat për shitjet. Kryesisht çdo të diel bëhej barazimi i pagesave për sasitë e shitura dhe të shpërndara, ndërsa grupi furnizohej me sasi të rregullta për shpërndarjen e javës pasuese.
Për këto veprime, të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 2, dhe nenit 275, paragrafi 1, pikat 1.1, 1.6 dhe 1.9, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Në kërkesë përshkruhet edhe dyshimi për posedim të paautorizuar të armës ndaj Haraqijës. Prokuroria pretendon se, nga një kohë e papërcaktuar deri më 15 nëntor 2026, ai ka mbajtur me dashje në banesën e tij një pistoletë pa lejen e organit kompetent, në kundërshtim me Ligjin për mbajtjen e armëve. Gjatë bastisjes, Policia gjeti dhe sekuestroi pistoletën, një karikator dhe gjashtë fishekë. Për këtë, Haraqija dyshohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1, të Kodit Penal.
Hetimi, sipas Prokurorisë, nisi për shitblerje narkotikësh ndaj Jeton Stanovcit, Gëzim Fekës, Arjanit Beqirit dhe personave të paidentifikuar. Pas autorizimit të masave të veçanta, u identifikuan edhe Albana Xhemajli dhe Baftije Feka. Më 22 maj 2026 u mor ndaj tyre një aktvendim i ndryshuar përshtatshmërisht për fillimin e hetimeve, ndërsa më 27 korrik hetimi u zgjerua edhe ndaj Albert Krasniqit dhe Mërgim Stanovcit.
Kontrollet nisën më 14 nëntor 2026. Prokuroria thotë se provat e mbledhura krijuan dyshim të bazuar edhe për përfshirjen e Astrit Haraqijës dhe Alban Malokut, ndaj të cilëve më 15 nëntor 2026 u lëshua aktvendimi për zgjerimin e hetimeve.
Sipas kërkesës, masat e veçanta kanë treguar se Jeton Stanovci dilte nga objekti banesor ku jetonte edhe Haraqija. Prokuroria pretendon se aty takoheshin Jetoni, Mërgimi dhe Astriti për të përgatitur substancën që sillte Mërgimi. Pasi e ndanin në sasi të vogla, ata dyshohet se ia dorëzonin Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje.
Në banesën e Haraqijës, përveç armës, u sekuestruan para dhe dy telefona iPhone. Kërkesa rendit edhe sende të gjetura e të sekuestruara në banesat e të dyshuarve të tjerë, mes tyre para, telefona dhe vetura.
Prokuroria vlerëson se paraburgimi është i nevojshëm për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale, rrezikut të arratisjes, mundësisë së asgjësimit ose ndryshimit të provave dhe ndikimit te dëshmitarët, si edhe rrezikut të përsëritjes së veprës. Në kërkesën e paraqitur nga prokurori Arben Hoti, masat e tjera alternative cilësohen të pamjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurve në procedurën penale.
Të dielën, avokati i Haraqijës, Korab Bokshi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se klienti i tij ishte arrestuar nën dyshimin për kontrabandim me narkotikë. Ai tha se kontrollet te familja dhe në banesën e Haraqijës nuk kishin zbuluar asgjë inkriminuese. Sipas Bokshit, paratë e sekuestruara përkohësisht ishin kursime që fëmijët e Haraqijës i kishin krijuar nga puna e tyre dhe nuk i përkisnin atij.
Bokshi bëri të ditur se kishte ankimuar vendimin për ndalimin 48-orësh. Ai tha gjithashtu se Haraqija e mohonte përfshirjen në veprën penale. Sipas avokatit, Haraqija kishte shpjeguar se, si figurë publike, mund të ishte takuar ose të kishte komunikuar me persona të ndryshëm, por jo në lidhje me veprat penale për të cilat dyshohet.
Policia e Kosovës njoftoi të dielën, më 15 nëntor, se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kishte zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës operacionin e gjerë policor të koduar “Heshtja”. Sipas Policisë, operacioni goditi një grup të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje kokaine. Për këtë rast u arrestuan gjashtë të dyshuar dhe u sekuestruan drogë e asete të tjera me vlerë mbi 300 mijë euro.






