Iskra Haxhi Vasileva ka nisur zyrtarisht punën në krye të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke zëvendësuar Islam Abazin. Kalimi i detyrës u bë në ambientet e Prokurorisë.
Pas ceremonisë, Vasileva dhe Abazi pritet të takohen me kryeprokurorin Nenad Saveski.
Të lidhura
None found
Vasileva u përzgjodh në këtë post në zgjedhjet e 28 tetorit të këtij viti, ku mori 64 nga 171 votat e vlefshme. Në garë ishin gjithashtu prokurorët publikë Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq dhe Jovan Cvetanovski.
Pasi bëri betimin solemn para Këshillit të Prokurorëve Publikë, drejtuesja e re deklaroi se synon të përqendrohet te ndjekja penale efikase, puna efektive e Prokurorisë dhe përdorimi sa më i mirë i burimeve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ajo tha se do të punojë për të shfrytëzuar më mirë kapacitetet që ekzistojnë dhe për të siguruar burime të tjera, me synimin për të përmirësuar rezultatet e institucionit.
Emërimi i saj erdhi pas mbarimit të mandatit të Islam Abazit, i zgjedhur në këtë detyrë në tetor të vitit 2022.
Haxhi Vasileva është drejtuesja e dytë e kësaj Prokurorie që zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga të gjithë prokurorët publikë të vendit.







