Kabineti izraelit i sigurisë, nën drejtimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar ushtrisë të shtojë përgatitjet për një sulm tjetër të mundshëm kundër Iranit.
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, forcat ushtarake janë vënë në gatishmëri maksimale ndërsa priten zhvillime të tjera. Vendimi merret në një periudhë tensionesh në Lindjen e Mesme. Përplasjet mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re pas sulmeve të 28 shkurtit, kur SHBA-ja dhe Izraeli goditën territorin iranian dhe eliminuan një pjesë të drejtuesve të lartë të vendit.
Të lidhura
None found
Irani u kundërpërgjigj me goditje ndaj Izraelit, bazave amerikane në Gjirin Persik dhe vendeve që i strehojnë ato. Teherani bllokoi gjithashtu Ngushticën strategjike të Hormuzit. Megjithëse Irani dhe SHBA-ja nënshkruan në qershor një memorandum mirëkuptimi me 14 pika, gjendja mbetet e paqëndrueshme: armëpushimi është shkelur disa herë dhe ngushtica vazhdon të jetë praktikisht e bllokuar. Kjo ka shtuar shqetësimet për sigurinë dhe furnizimin ndërkombëtar me naftë.
Ndërkohë, Uashingtoni po shqyrton rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Iranin. Wall Street Journal raporton se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance po merr në konsideratë një takim ballë për ballë me Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Burime amerikane dhe nga Lindja e Mesme, të cituara nga gazeta, thonë se presidenti Donald Trump u ka shprehur bashkëpunëtorëve të ngushtë dhe partnerëve të huaj mbështetjen për rifillimin e bisedimeve mes Vance dhe Teheranit. Ai e ka autorizuar zëvendëspresidentin të negociojë, ndonëse njëkohësisht pretendon se SHBA-ja, në praktikë, e ka fituar luftën.








