Rreth 600 ushtarët amerikanë që shërbejnë në KFOR duhet të vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë. Këtë qëndrim mbrojnë dy ekspertë amerikanë të sigurisë dhe mbrojtjes, të cilët paralajmërojnë se largimi i tyre mund të cenojë stabilitetin e Ballkanit dhe t’i japë Moskës një avantazh strategjik.
Thirrja vjen ndërsa Pentagoni përgatitet të rishikojë vendosjen e forcave të Shteteve të Bashkuara në Evropë. Sipas ekspertëve, prania amerikane në misionin e NATO-s në Kosovë është një nga angazhimet që nuk duhet të preket nga ky proces.
Të lidhura
None found
Argumenti është paraqitur në një shkrim në një portal amerikan të specializuar për mbrojtjen. Autorë janë Mark Montgomery, admiral i pensionuar i Marinës amerikane dhe drejtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), dhe Ivana Stradner, hulumtuese në të njëjtin institucion. Ata vlerësojnë se largimi i trupave nga Kosova do të kursente pak financiarisht, por mund të sillte pasoja të mëdha strategjike.
Numri i ushtarëve në KFOR është i vogël krahasuar me praninë e përgjithshme ushtarake amerikane në Evropë, shkruajnë Montgomery dhe Stradner. Megjithatë, ata i japin kësaj force një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e paqes së arritur me vështirësi në Ballkan.
Dy autorët e konsiderojnë të arsyeshëm rishikimin e angazhimeve amerikane në Evropë, me argumentin se aleatët evropianë duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre konvencionale. Por, sipas tyre, KFOR-i është rast i veçantë: roli i SHBA-së aty ka peshë si ushtarake, ashtu edhe politike, dhe nuk zëvendësohet lehtë.
Montgomery dhe Stradner thonë se rreziku i destabilizimit në Ballkan nuk është zhdukur, pavarësisht humbjeve të Rusisë në luftën në Ukrainë. Sipas vlerësimit të tyre, presidenti rus Vladimir Putin vazhdon përpjekjet për të trazuar Evropën, ndërsa në Ballkan Moska mund të nxisë tensione me kosto relativisht të ulët dhe të zhvendosë vëmendjen perëndimore nga Ukraina.
Në shkrim, Serbia përshkruhet si një instrument që Rusia e ka përdorur prej kohësh për të ndikuar në stabilitetin e Kosovës. Autorët sjellin si shembull vitin 2017, kur një tren i prodhuar në Rusi u nis drejt Kosovës me mbishkrimin provokues “Kosova është Serbi”.
Ata përmendin gjithashtu të ashtuquajturën qendër humanitare ruse në Serbi, pranë Kosovës, për të cilën ka dyshime se mund të përdoret si pikë e inteligjencës ruse. Sipas autorëve, lidhjet e afërta mes shërbimeve inteligjente të Serbisë dhe Rusisë i krijojnë Moskës mundësi të hyjë në kontakt me grupe nacionaliste lokale dhe t’i përdorë ato për provokime.
Një tjetër ngjarje që rikujtohet është sulmi i armatosur i vitit 2023 në veri të Kosovës. Institucionet e Kosovës kanë fajësuar për të grupe të armatosura të mbështetura nga Serbia. Po atë vit, ministri i Jashtëm rus paralajmëroi, duke iu referuar tensioneve në Kosovë, se në zemër të Evropës po krijohej një situatë shpërthyese.
Sipas Montgomeryt dhe Stradnerit, rajoni mbetet i brishtë edhe pas zhvillimeve të fundit politike në Serbi. Ata përmendin zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe paqartësinë për kursin e ardhshëm të politikës së jashtme të Beogradit, duke vërejtur se një ndryshim politik nuk do të thotë domosdoshmërisht ndryshim i qëndrimit ndaj Kosovës.
Në të njëjtin kontekst, autorët sjellin paralajmërimin e bërë në tetor nga ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, sipas të cilit situata në Kosovë mbetet vazhdimisht e tensionuar dhe pranë përshkallëzimit.
KFOR-i u vendos në Kosovë nën komandën e NATO-s në qershor të vitit 1999, pas fushatës ajrore të Aleancës kundër ish-Jugosllavisë. Ajo fushatë synonte të ndalte dhunën e forcave të regjimit të Slobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, kujtojnë autorët.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të mos e njohë shtetësinë e saj. Sipas dy ekspertëve, prania e KFOR-it ka ndikuar në masë të madhe që Kosova dhe Serbia ta ruajnë paqen që nga viti 1999.
Duke iu referuar qëndrimeve të një grupi dypartiak ligjvënësish amerikanë, Montgomery dhe Stradner e përshkruajnë misionin edhe si pengesë politike për ata që kërkojnë të nxisin dhunë ndëretnike. Ata paralajmërojnë se pakësimi ose largimi i forcave amerikane mund t’u japë shtysë agjendave nacionaliste në Kosovë e Serbi, si dhe ambicieve separatiste në Republikën Sërpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnjë e Hercegovinë.
SHBA-ja ka qenë ndër shtyllat e KFOR-it që prej krijimit të misionit dhe aktualisht drejton Komandën Rajonale Lindje, një detyrë me rëndësi të drejtpërdrejtë operative. Nga rreth 600 ushtarët amerikanë në Kosovë, shumë janë pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë amerikane; ky kontingjent përbën një angazhim relativisht të vogël për kapacitetet e SHBA-së.
Sipas shkrimit, trupat amerikane në KFOR përbëjnë më pak se një për qind të të gjithë ushtarëve amerikanë të vendosur në Evropë. Për këtë arsye, autorët thonë se tërheqja nuk do të prodhonte kursime të konsiderueshme dhe as do të ndryshonte ndjeshëm aftësinë e ushtrisë amerikane për misione të tjera në botë.
Për të shpjeguar çfarë mund të sjellë mungesa e një pranie të fortë amerikane, dy ekspertët e krahasojnë KFOR-in me EUFOR Althea, misionin në Bosnjë e Hercegovinë që drejtohet nga Bashkimi Evropian. Sipas tyre, EUFOR-i, me rreth 1.500 pjesëtarë, ka hasur vështirësi përballë provokimeve të përsëritura të liderit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, i cili mbështetet nga Moska dhe Beogradi.
Autorët përmendin edhe vendimin e ambasadorëve të BE-së në vitin 2025 për të mos ndihmuar në zbatimin e një urdhërarresti ndaj Dodikut, për shkak të rreziqeve politike që mund të sillte ndërhyrja. Në vlerësimin e tyre, mungesa e një force të konsiderueshme amerikane dhe e një zinxhiri të unifikuar komandimi të gatshëm për veprim ka bërë që EUFOR-i shpesh të merret me menaxhimin e krizave, në vend të parandalimit të tyre.
KFOR-i, përkundrazi, ka treguar se mund t’i rrisë shpejt kapacitetet kur është e nevojshme, shkruajnë Montgomery dhe Stradner. Ata i referohen sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serb vrau policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe më pas u barrikadua në një manastir.
Pas atij incidenti, NATO shtoi numrin e forcave paqeruajtëse në Kosovë, ndërsa Serbia uli dislokimin e trupave pranë kufirit me Kosovën. Këto zhvillime, sipas shkrimit, ndihmuan në përfundimin e krizës.
Në mbyllje, Montgomery dhe Stradner i kërkojnë Pentagonit që të mos i përfshijë ushtarët amerikanë të KFOR-it në planet e tërheqjes gjatë rishikimit të pranisë ushtarake në Evropë. Sipas tyre, disa qindra ushtarë kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes në Kosovë për më shumë se një çerek shekulli, ndërsa largimi i tyre do t’i hapte Rusisë mundësinë të shfrytëzonte tensionet në Ballkan. Mesazhi i tyre përmbyllës është që Pentagoni ta njohë këtë rëndësi dhe ta lërë të paprekur angazhimin amerikan në KFOR.






