Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se BDI-ja, gjatë periudhës në pushtet, i krijoi mundësi zgjerimit të ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, kjo u realizua përmes politikës, nëntokës kriminale dhe sektorit financiar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mexhiti iu referua një dokumenti zyrtar të bërë publik së fundmi. Ai pretendon se qeveria e atëhershme LSDM-BDI krijoi bazën ligjore dhe institucionale për hyrjen e Alta Bankës nga Serbia në Maqedoninë e Veriut.
Të lidhura
None found
Mexhiti rikujtoi se gjatë viteve 2021, 2022 dhe 2023 kishte paralajmëruar për depërtimin e asaj që e cilëson si “botë serbe” në institucionet dhe shoqërinë e vendit. Sipas tij, dokumenti i publikuar dëshmon se rrënjët e këtij ndikimi janë shtrirë më thellë nga sa ishte menduar.
Ai tha se gjatë qeverisjes së BDI-së, ky ndikim u shfaq në tri drejtime kryesore: në politikë përmes projektit “Open Balkan”, në nëntokë përmes mafisë së bixhozit dhe në ekonomi përmes sektorit bankar.
Sipas Mexhitit, bashkimi i këtyre tri hallkave përbën një kërcënim serioz për shoqërinë, ndërsa lidhja mes krimit dhe institucioneve nënkupton kapjen e shtetit. Ai e akuzoi BDI-në se e kishte miratuar kapjen e Maqedonisë së Veriut nga “bota serbe”, ndërsa sot, sipas tij, kjo parti paraqitet si zëri kryesor nacionalist në vend dhe në rajon.
Mexhiti shtoi se retorika gjithnjë e më e ashpër e BDI-së, sipas tij, tregon shqetësimin e saj për zbulimin e së vërtetës dhe të dëmit që i është shkaktuar shoqërisë, veçanërisht shqiptarëve. Ai u shpreh se trinomi “Bota serbe – nëntoka serbe – banka serbe” po zbërthehet gradualisht dhe se shoqëria do të çlirohet nga pasojat e tij.
Në përfundim, ai paralajmëroi se do të ketë pasoja për personat që, sipas tij, e kanë shkaktuar këtë “epidemi filoserbe”.








