Volodymyr Zelensky bëri të ditur se në negociatat trepalëshe të zhvilluara në Abu Dhabi, përfaqësuesit rusë kanë pretenduar se Moska ka marrë nën kontroll gjysmën e territorit të Donbasit që mbahet ende nga Ukraina. Bisedimet synojnë të çojnë përpara përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, tashmë mbi katërvjeçar.
Presidenti ukrainas tha se ishte informuar për këtë qëndrim pasi delegacioni i Kievit i kishte përcjellë raportin e dytë nga takimet në Lindjen e Mesme. Ai rrëfeu se ekipi ukrainas u kishte kundërpërgjigjur rusëve se nuk e kuptonte prej nga buronin pretendimet dhe se pamjet filmike, fotografitë e provat e tjera tregonin se zonat në fjalë ishin ende nën kontrollin e Ukrainës.
Të lidhura
None found
Rusia zotëron një pjesë të konsiderueshme të Donbasit dhe më parë ka kërkuar që Kievi t’ia dorëzojë të gjithë rajonin si pjesë të një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Ukraina i ka refuzuar vazhdimisht këto kërkesa.
Zelensky e cilësoi mospërputhjen mes qëndrimeve të palëve si një prej pengesave kryesore të negociatave dhe tha se Vladimir Putin “jeton në një realitet tjetër”. Sipas tij, edhe pala amerikane ka mbështetur qëndrimin e delegacionit ukrainas për kontrollin e territoreve.
Presidenti ukrainas vlerësoi se bisedimet në Abu Dhabi, në formatin aktual ku marrin pjesë edhe të dërguar të presidentit Donald Trump, nuk mjaftojnë për të zgjidhur çështjet kryesore të luftës. Për përparim konkret drejt paqes, tha ai, negociatat duhet të zhvillohen drejtpërdrejt mes udhëheqësve të vendeve të përfshira.






