Paris Saint-Germain ka nisur të shqyrtojë mundësinë e afrimit të portierit të Borussia Dortmundit, Gregor Kobel, pasi drejtuesit e klubit nuk janë bindur plotësisht nga paraqitjet e Matvey Safonov.
Sipas gazetës gjermane Sport Bild, klubi francez ka komunikuar me përfaqësuesit e Kobelit dhe u ka kërkuar disa herë të dhëna për situatën e portierit zviceran 28-vjeçar.
Të lidhura
None found
PSG-ja kërkon të shtojë konkurrencën në portë. Trajneri Luis Enrique vazhdon ta mbrojë publikisht Safonovin, por ndeshjet e rëndësishme evropiane kanë shtuar shqetësimet e drejtuesve parizienë.
Edhe pse Enrique vlerëson aftësinë e rusit për të luajtur me këmbë, në klub mendojnë se nevojitet një portier i kalibrit të lartë, që të rivalizojë drejtpërdrejt Safonovin dhe Lucas Chevalier.
Kobel ka kontratë me Dortmundin deri në qershor të vitit 2028 dhe po negocion me klubin gjerman për zgjatjen e saj. Një takim mes drejtuesve të Dortmundit dhe përfaqësuesve të portierit pritet të mbahet së shpejti, me synimin për të gjetur marrëveshje për rinovimin.
Portieri iu bashkua Dortmundit në vitin 2021, pasi u transferua nga Stuttgart për 15 milionë euro. Që prej atëherë, ai është renditur mes portierëve më të spikatur të Bundesligës.
Vlera e Kobelit në tregun e transferimeve llogaritet aktualisht rreth 40 milionë euro, ndaj transferimi i tij do të ishte i vështirë edhe për kampionët francezë.
Fillimisht, zvicerani dëshiron të qëndrojë në Gjermani, por interesi i PSG-së mund të ndikojë në vendimin e tij. Klubi francez ka mundësitë financiare dhe ambicien sportive për të tentuar ta bindë përfaqësuesin e Zvicrës të ndryshojë mendje.
Në Paris synojnë të kenë një portier të nivelit të lartë, në mënyrë që porta të mos kthehet në pikë të dobët të skuadrës në garat e ardhshme.






