Granit Xhaka i mbetet besnik Arsenalit edhe në momente të vështira. Pavarësisht faktit që “topçinjtë” e kanë nisur shumë keq kampionatin dhe rrezikojnë të bëjnë një tjetër sezon të dështuar, mesfushori me origjinë shqiptare ka vendosur të rinovojë kontratën.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi londinez, që ka zbuluar se Xhaka do të mbetet në “Emirates Stadium” deri në verën e 2025-ës, teksa nuk ka munguar as një prononcim i vetë futbollistit 29-vjeçar, i cili ka premtuar se do të vijojë të japë maksimumin për Arsenalin.
“Jam shumë i lumtur që jam sërish këtu. Kam nënshkruar një kontratë të re dhe dua të rikthej besimin në klub dhe te tifozët. Ata e dinë shumë mirë se unë do të jap gjithçka në çdo ndeshje dhe çdo seancë stërvitore”, u shpreh Xhaka.
Mesfushori u kërkua me ngulm nga Jose Mourinho te Roma, me portugezin që e shprehu publikisht simpatinë e tij për futbollistin, por transferimi nuk u konkretizua, pasi verdhe-kuqtë nuk arritën të plotësojnë pretendimet ekonomike të Arsenalit.
Kujtojmë që Xhaka u transferua te Arsenali në verën e 2016-ës dhe gjatë 5 sezoneve të “Emirates Stadium’ ka qenë titullar i padiskutueshëm e për disa kohë mbajti edhe shiritin e kapitenit, të cilin ia hoqi Unai Emery për shkak të një grindjeje me tifozët.