Dy takimet e sotme hapin xhiron e tetë të Superligës së Kosovës në basketboll, duke i dhënë njëkohësisht nisjen rrethit të dytë të kampionatit.
Programi fillon në orën 17:00 në Gjakovë, me duelin mes Vëllaznimit dhe Borës. Vendasit synojnë suksesin e dytë të sezonit, kurse ekipi prishtinas kërkon të ruajë ecurinë pozitive pas fitores kundër Pejës në xhiron e kaluar.
Të lidhura
None found
Takimi i parë sezonal mes këtyre skuadrave ishte mbyllur me një fitore bindëse të Borës, 90:67. Për Vëllaznimin, përballja para publikut të vet është një mundësi për t’u kundërpërgjigjur në planin sportiv.
Interesi më i madh përqendrohet te palestra “Karagaqi”, ku në orën 19:30 Peja do të presë Sigal Prishtinën. Ky duel sjell përballë dy skuadra me një prej rivaliteteve më tradicionale në basketbollin kosovar, të cilat kërkojnë t’u kthehen rezultateve pozitive dhe të ngjiten në renditje. Deri në këtë fazë, Peja numëron dy fitore e pesë humbje, ndërsa Sigal Prishtina ka shënuar tri fitore dhe katër humbje.
Dy ndeshjet e mbetura të xhiros së tetë do të luhen nesër, kur Golden Eagle Ylli përballet me Bashkimin, ndërsa Trepça takohet me Rahovecin 029.






