Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, sidomos nga abuzimi në platformat digjitale, ishte tema e panelit të dytë të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, ku mori pjesë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Në ndërhyrjen e saj, Gërvalla nënvizoi se institucionet kanë përgjegjësi kushtetuese për të mbrojtur fëmijët. Sipas saj, kuadri penal duhet të mbulojë çdo formë të shfrytëzimit seksual, nga joshja dhe manipulimi në internet deri te prodhimi e shpërndarja e materialeve që paraqesin abuzim seksual ndaj fëmijëve.
Të lidhura
None found
Duke folur për joshjen dhe manipulimin në internet, të njohur si “grooming”, ministrja shpjegoi se autorët e abuzimit fillimisht krijojnë besim te fëmijët dhe më pas i manipulojnë hap pas hapi, duke i përgatitur për abuzim seksual. Ajo kërkoi që ndërhyrja të mos shtyhet deri pasi të ketë ndodhur abuzimi dhe që kjo çështje të trajtohet sipas standardeve të Konventës së Lanzarotes.
Gërvalla propozoi që bashkëpunimi rajonal të përfshijë trajnime të përbashkëta mbi intervistimin e fëmijëve dhe përdorimin e dëshmive të tyre. Këto trajnime, sipas saj, duhet të shërbejnë për sigurimin e provave të besueshme dhe shmangien e ritraumatizimit të fëmijëve.
Në këtë kontekst, ministrja përmendi mbrojtjen që ofron Kodi i Drejtësisë për të Mitur, i cili e kufizon në vetëm dy herë marrjen në pyetje të fëmijës viktimë dhe mundëson përdorimin si prova të deklaratave të regjistruara me video.
Një tjetër nevojë që ajo vuri në dukje ishte sigurimi i mekanizmave lehtësisht të qasshëm për raportim, krahas koordinimit mes institucioneve të drejtësisë, shërbimeve sociale dhe institucioneve shëndetësore.
Në përfundim, Gërvalla theksoi përgjegjësinë për ta përshtatur legjislacionin penal me mënyrat vazhdimisht në ndryshim të abuzimit dhe për ta bërë mbrojtjen e fëmijëve të zbatueshme në praktikë. Për përmbushjen e kësaj përgjegjësie, ajo e cilësoi bashkëpunimin rajonal si të domosdoshëm.







