Të shtëna me armë zjarri në Kolonos të Athinës lanë të plagosur rëndë një shqiptar 36-vjeçar mbrëmjen e së premtes. Ai pësoi plagë në bark dhe u gjet brenda një automjeti.
Të dhënat më të fundit tregojnë se ndaj tij është qëlluar në sheshin pranë Kishës së zonës. Pas plagosjes, 36-vjeçari ka vrapuar drejt makinës së tij, e cila ishte 150 m larg pikës ku u sulmua.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua në rrugën Lenorman, afër numrit 197. Nga informacionet paraprake bëhet e ditur se një banor njoftoi policinë për të shtënat pak pas orës 20:30.
Efektivët shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe gjetën dy gëzhoja. Shqiptari, i cili ndodhej në gjendje të rëndë në automjet, u dërgua me një ambulancë të shërbimit të urgjencës EKAB në spitalin Attikon.
Në këtë spital ai po trajtohet nga mjekët, ndërsa ende nuk janë dhënë hollësi të tjera për gjendjen e tij shëndetësore. Policia ka shoqëruar dy persona në lidhje me atentatin dhe po i merr në pyetje. Puna hetimore vazhdon për të sqaruar rrethanat e sulmit dhe motivet e tij.






