Bashkëpunimi ndërkombëtar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin ishte në qendër të takimit të ministres Donika Gërvalla me Jose de la Mata Amaya, zëvendëspresident i Eurojust-it, Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale.
Duke njoftuar për takimin në Facebook, Gërvalla nënvizoi se drejtësia duhet të veprojë përtej kufijve, ashtu siç bëjnë edhe rrjetet e krimit të organizuar. Sipas saj, përballja me këtë veprimtari kërkon fuqinë e bashkëpunimit mes shteteve.
Të lidhura
None found
Ministrja e cilësoi të domosdoshëm bashkëpunimin e ngushtë me Eurojust-in, pasi krimi i organizuar, korrupsioni dhe rrjetet kriminale e shtrijnë veprimtarinë përtej territorit të një shteti. Ajo theksoi se kjo sfidë nuk mund të përballohet nga asnjë vend i vetëm.
Në këtë drejtim, Gërvalla veçoi bashkërendimin e hetimeve dhe të ndjekjeve penale, ndarjen e informacionit dhe të provave, si edhe lidhjet e drejtpërdrejta mes autoriteteve gjyqësore. Sipas saj, këto mekanizma rrisin kapacitetin e institucioneve për të goditur krimin kudo që ai ushtron veprimtarinë.
Ajo theksoi gjithashtu se kriminelët nuk duhet të gjejnë strehim në asnjë shtet dhe se kufijtë nuk mund të përdoren për t’iu shmangur ligjit. Po kështu, mangësitë në bashkëpunimin ndërkombëtar nuk duhet të krijojnë mundësi që veprat kriminale të mbeten të pandëshkuara.
Gërvalla shprehu angazhimin për ta zgjeruar dhe konsoliduar më tej bashkëpunimin me Eurojust-in dhe partnerët evropianë. Ajo nënvizoi se luftimi i krimit të organizuar kërkon institucione të fuqishme, veprim të koordinuar ndërkombëtar dhe vendosmëri të palëkundur për ta çuar drejtësinë deri në fund, pa u penguar nga kufijtë apo nga fuqia e rrjeteve kriminale.







