Kurioziteti për edicionin e ardhshëm të Big Brother VIP Albania është shtuar pas një postimi të moderatorit Ledion Liço në rrjetet sociale. “Thonë se ju ka marrë malli”, shkroi ai, duke nxitur fansat të aludojnë se përgatitjet për sezonin e ri mund të kenë nisur.
Pavarësisht sinjalit të moderatorit, ende nuk është bërë e ditur një datë zyrtare për startin e spektaklit.
Të lidhura
None found
Rikthimi i formatit u diskutua në pjesën e dytë të emisionit “Ftesë në 5”, të moderuar nga Bieta Sulo. Të ftuarit ndanë parashikimet e tyre për personazhet që mund të hyjnë në shtëpi, si edhe idetë për mënyrën se si mund të zhvillohet ky sezon.
Ardi Borova hodhi idenë që këtë vit spektakli të ketë një komunikim më të drejtpërdrejtë me publikun, përtej personazheve që marrin pjesë në të.
“Do më pëlqente fakti se si sivjet mënyra e të qenurit nga televizioni brenda familjes ndoshta mund të qaset në një mënyrë tjetër, jo vetëm me personazhe, por edhe me ndonjë surprise. Je duke parë Bigun, të bie dera, hapet dera, të vjen kamera e Topit dhe të thotë: Çfarë je tu pa Bigun?”, u shpreh Ardi.
Propozimi shkaktoi të qeshura në studio, ndërsa u diskutua edhe mundësia që surprizat të realizohen në vende të zakonshme, si restorantet, duke i përfshirë njerëzit në situata të papritura të lidhura me spektaklin.
Një tjetër temë ishte rikthimi i mundshëm i Arbër Hajdarit në panelin e opinionistëve. Gjatë bisedës u përmend se edhe Ledion Liço e ka ngacmuar atë për këtë çështje.
“Kam dëgjuar një thashethem që po më thonë se mund të jem edhe unë pjesë e Big Brother”, tha njëri prej të pranishmëve, duke treguar se zërat për banorët dhe bashkëpunëtorët e sezonit të ri tashmë kanë nisur.
Sipas diskutimit në studio, Arbër Hajdari është ndër figurat që publiku do të donte ta shihte sërish në rolin e opinionistit.
Më pas u prezantua një listë me emra që kanë qarkulluar në rrjetet sociale si kandidatë të mundshëm për t’u bërë pjesë e shtëpisë së Big Brother VIP Albania. Në të përfshiheshin Bujar Qamili, Mira Konçi, Robert Berisha, Viola Spiro, Deta Kokomani dhe Fero.
Desjana Rapaj u pyet se cilët prej tyre do të ishin më interesantë për formatin dhe veçoi Fero-n dhe Bujar Qamilin.
“Më interesantë për mendimin tim do të ishin Fero dhe Bujari. Bujar Qamili po dhe po, por dhe Fero do ishte një prurje e mirë”, u shpreh ajo.
Robert Berisha u bë pjesë e një prej momenteve më pikante të bisedës. Desjana tha me humor: “Te Roberti nuk po futem shumë, se Roberti është vetëm si të bëj si i bukur ashtu. Hajde, mirupafshim!”.
Komenti vijoi me batuta për pamjen e këngëtarit dhe solli të qeshura në studio. “Gjyshja ime më ka thënë: Bashkëshorti duhet të jetë pak më i bukur se majmuni”, u tha gjatë diskutimit.
Ardi Borova shprehu dyshime se shumica e emrave të përmendur do ta përballonin gjatë izolimin në shtëpi.
“Unë do të thoja kështu: 80% prej atyre dalin javën e parë, maksimumi të dytën, mos më bëj të vendos gishtat. Bujari nuk e mban atë izolimin. Kur hyn brenda ka një tjetër atmosferë aty”, deklaroi Ardi.
Për Mira Konçin u ngrit çështja nëse mosha dhe angazhimet familjare do ta vështirësonin pjesëmarrjen e saj në një eksperiencë të tillë. Ky vlerësim u kundërshtua nga pjesëtarë të tjerë të panelit, të cilët theksuan se mosha nuk është domosdoshmërisht pengesë.
“Po pse moshën e shihni? Mund të varet nga aftësia, nga ambicia, nga tipi, çfarë karakteri ke?”, ishte reagimi i Oksanës.
Viola Spiro dhe Deta Kokomani ishin dy emra të tjerë të komentuar në studio. Diskutimi u përqendrua te dinamika që mund të krijohej nëse dy personazhe me profile të ndryshme do të përballeshin me të njëjtën eksperiencë brenda shtëpisë.
Të ftuarit nënvizuan se pjesëmarrja në Big Brother mund të jetë një mundësi e veçantë televizive dhe t’u hapë rrugë të reja personazheve që zgjedhin të bëhen pjesë e formatit.
Gjatë bisedës u shpreh edhe dëshira për të parë në shtëpi një grua të realizuar, me përvojë jetësore dhe me një histori që mund të shërbejë si frymëzim për gratë e tjera.
“Do të doja që të ishte ndonjë femër që të tregojë, të motivojë, të ketë një eksperiencë në jetë pozitive për të motivuar sa më shumë femrat”, u shpreh një prej të ftuarave.
Ajo theksoi se shumë gra kanë nevojë për mbështetje emocionale dhe mesazhe inkurajuese, veçanërisht në një periudhë kur rrjetet sociale shpesh krijojnë pritshmëri të larta dhe jo gjithmonë reale për jetën e përditshme.
Ndërsa emrat vijojnë të qarkullojnë në rrjetet sociale, mbetet për t’u parë se cilat prej këtyre spekulimeve do të konfirmohen dhe kush do të bëhet realisht pjesë e edicionit të ri.








