Aron Babaj po ndërton rrugëtimin e tij në akademinë e Milanit. Mesfushori kosovar ka qenë rregullisht pjesë e përfaqësueseve të Kosovës, fillimisht me U16 dhe U17, ndërsa tani luan me U18.
Në sezonin aktual, ai ka zhvilluar nëntë ndeshje me Milanin U18, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë një asistim. Të dy golat erdhën në përballjen e fundit me Cesenan, të cilën skuadra italiane e fitoi 2-1. Babaj thotë se më shumë se realizimet e tij, e gëzon ndihma që i dha ekipit për të marrë tri pikët.
Të lidhura
None found
Hapat e parë në futboll i hodhi në Norvegji, te Skeid dhe Lyn. Kur familja u kthye në Kosovë, ai luajti për Trepçën dhe Prishtinën e Re, si dhe arriti të paraqitej në Superligën e Kosovës në moshë shumë të re. Paraqitjet dhe potenciali i tij i hapën më pas rrugën drejt Milanit.
Në një intervistë për Telegrafin, Babaj ka folur për jetën në Milano, larg familjes e vendlindjes, përshtatjen me ekipin, angazhimet e përditshme dhe kërkesat e trajnerëve. Ai ka treguar edhe çfarë po përmirëson në lojën e tij, si i përjetoi golat ndaj Cesenas dhe çfarë ndikimi ka pasur i ati, Shpëtim Babaj, në karrierën e tij.
Jeta larg familjes dhe përshtatja te Milani
Qëndrimi larg njerëzve të afërt nuk është i lehtë për futbollistin e ri. Familja dhe vendi i mungojnë, por bisedat e përditshme me ta e ndihmojnë të ndihet më pranë dhe i sjellin buzëqeshjen.
Me bashkëlojtarët, trajnerët dhe stafin, Babaj thotë se u ndie i mirëpritur që në fillim. Për këtë arsye, përshtatja me ekipin, qytetin dhe jetën e re nuk i mori shumë kohë. Megjithatë, ai e di se njohja e plotë e kulturës, mentalitetit dhe gjuhës kërkon më shumë kohë. Mosnjohja e italishtes ia vështirëson kuptimin e plotë të trajnerëve dhe lojtarëve, ndonëse çdo ditë po ndihet më i përshtatur.
Babaj e përshkruan si të jashtëzakonshme mundësinë për të qenë pjesë e një klubi me historinë e Milanit. Në fillim kishte emocione dhe pasiguri, sidomos sepse nuk e fliste gjuhën dhe pyeste veten çfarë do t’i thoshin të tjerët. Sapo hyri në fushë, mikpritja e tyre ia lehtësoi atë moment.
Për të, fanella kuqezi sjell edhe detyrimin për të dhënë 100 për qind çdo ditë, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Ai thotë se duhet të jetë versioni më i mirë i vetes dhe i vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka në një prej klubeve më të mëdha në botë.
Konkurrenca është e fortë, pasi te Milani ka lojtarë nga e gjithë bota dhe klubi afron më të mirët. Sipas Babajt, për të fituar hapësirë duhet të punojë vazhdimisht, t’i kryejë siç duhet detyrat taktike, të vendosë shpejt dhe të jetë në vendin e duhur në çastin e duhur.
Nga stërvitja te shkolla dhe italishtja
Dita e tij në Milano nis në orën 07:00. Gjysmë ore më vonë ha mëngjes dhe më pas udhëton drejt kampit stërvitor. Në orën 09:15 lojtarët duhet të jenë gati në palestër për ushtrime aktivizuese ose të forcës; në orën 10:00 fillon puna në fushë, e cila zakonisht përfundon në 11:15 ose 11:30.
Pas stërvitjes vijojnë analizat individuale të ndeshjeve dhe trajtimet për rikuperim. Në varësi të nevojës, secili futbollist mund të zgjedhë masazh, trajtim me ujë të ftohtë ose procedura të tjera.
Babaj e vlerëson punën profesionale të trajnerëve. Ai shpjegon se analizat dhe kërkesat e stafit shërbejnë si bazë për stërvitjen individuale të çdo lojtari. Vetë po përqendrohet te përmirësimi në mbrojtje, veçanërisht te agresiviteti.
Rreth orës 12:30 skuadra kthehet në hotel, ndërsa dreka zhvillohet nga 13:00 deri në 13:30. Pjesën tjetër të ditës Babaj e ndan mes pushimit, shkollës online dhe kursit të italishtes, të cilin e ndjek tri herë në javë.
Darka shërbehet rreth orës 19:00-19:30. Më pas, ai kalon kohë me bashkëlojtarët duke parë ndeshje ose duke luajtur PlayStation, pingpong e bilardo. Në orën 22:00 të gjithë duhet të jenë në dhomat e tyre; daljet në qytet me shokët i lënë për ditët e pushimit.
Zhvillimi në fushë dhe dy golat ndaj Cesenas
Sezonin e deritanishëm Babaj e vlerëson pozitivisht, por thekson se ka ende vend për t’u përmirësuar. Synimi i tij është të paraqitet më mirë në çdo ndeshje dhe stërvitje sesa herën e mëparshme.
Që prej ardhjes te Milani, ai ka vënë re se përshkon më shumë distancë gjatë 90 minutave, diçka që e konsideron të rëndësishme për një mesfushor. Njëkohësisht, po mëson çdo ditë në aspektin taktik, të cilit në Itali i kushtohet shumë punë.
Sipas tij, ndeshjet kundër futbollistëve më të fortë fizikisht dhe më të mëdhenj në moshë e ndihmojnë të zhvillohet. Përballje të tilla kërkojnë lexim më të shpejtë të lojës dhe vendime të drejta e të shpejta.
Fitorja 2-1 ndaj Cesenas ishte një moment i veçantë për Babajn: ai shënoi të dy golat e Milanit. Megjithatë, thotë se gëzimi më i madh ishte që ndihmoi skuadrën të siguronte tri pikët. Golat ia kanë rritur vetëbesimin dhe shpreson të shënojë sërish, në mënyrë që ekipi të marrë pikë të tjera. Gjatë këtij sezoni, ai synon gjithashtu të fitojë sa më shumë përvojë dhe të përmirësohet në çdo aspekt të lojës.
Shpëtim Babaj, këshillues dhe mbështetës
I ati i Aronit, Shpëtim Babaj, ka luajtur futboll në disa vende. Në Slloveni ka qenë pjesë e Rudarit dhe Šmartnos, në Ukrainë e Zoryas dhe në Kazakistan e Shakhter Karagandys. Në Shqipëri ka veshur fanellat e Besës, Elbasanit, Gramozit dhe Tiranës, ndërsa në Kosovë ato të Trepçës, Trepçës ’89, Hajvalisë dhe Ferizajt.
Aroni thotë se përvoja e babait ka ndikuar shumë në rrugëtimin e tij. Ajo që Shpëtimi ka kaluar gjatë karrierës, përfshirë gabimet, është kthyer në këshilla që e ndihmojnë të mos i përsërisë dhe të ndjekë rrugën e duhur.
Ata flasin çdo ditë për futbollin. Pas stërvitjeve dhe ndeshjeve, i ati i përmend gjëra që i kanë ndodhur në fushë. Babaj tregon me humor se, nga saktësia e vërejtjeve, ndonjëherë pyet veten nëse babai e ka parë apo e ka incizuar.
Ai e quan Shpëtimin njëkohësisht përkrahësin dhe kritikuesin e tij më të madh. Babai kërkon që gjithçka të bëhet në mënyrë perfekte dhe, siç thotë Aroni me shaka, nuk toleron asgjë.
Në mënyrën e lojës, Babaj sheh ngjashmëri me të atin, sidomos në teknikë, goditje dhe pasime. Shpëtimi i thotë se Aroni është më i mirë se ai vetë kur luante, por djali dyshon se këtë ia thotë për t’i bërë qejfin.
Një cilësi të babait që dëshiron ta arrijë është mentaliteti dhe vendosmëria. Babaj pranon se ende nuk është në nivelin e tij në këtë drejtim dhe nuk e ka të njëjtën grintë, por thotë se po punon çdo ditë për ta përmirësuar.







