Studentët dhe shoqëria civile ankimojnë në ‘Kushtetuese’ aktet e Qeverisë: Po na pengohet e drejta demokratike për të protestuar

Studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile do të depozitojnë tre ankime në Gjykatën Kushtetuese kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026.

Ankimet kundërshtojnë Aktin Normativ nr. 5/2026, Aktin Normativ nr. 6/2026 dhe VKM-në nr. 815/2026.

Të lidhura

None found

Sipas studentëve, Akti Normativ nr. 5/2026 i jep Policisë të drejtën të kufizojë ose ndalojë protestat pranë institucioneve, të largojë qytetarët nga zonat e mbrojtura, të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe të vendosë gjoba deri në 500 mijë lekë.

Ndërsa Akti Normativ nr. 6/2026, sipas ankuesve, parashikon përgjegjësi solidare të organizatorëve për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë protestave të tetorit, si dhe vendos gjoba për sjellje të kryera përpara hyrjes në fuqi të tyre.

Në ankim kundërshtohet edhe VKM-ja nr. 815/2026, e cila, sipas studentëve, krijon një regjistër policor që mund të sjellë kufizime në lëvizjen jashtë vendit pa një vendim gjykate, si dhe njoftimin e autoriteteve të shtetit pritës dhe strukturave hoteliere.

Njoftimi i plote;

Sot, më 5 nëntor 2026, në orën 14.00, do të jemi përpara Gjykatës Kushtetuese për të depozituar tre ankime kundër akteve që qeveria miratoi më 28 tetor. Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin.

Ne, studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, kemi nënshkruar tre ankime së bashku me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH), Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania.

Kundërshtojmë:

Aktin normativ nr. 5/2026 i cili i jep policisë të drejtën të ndalojë ose të kufizojë protestat rreth institucioneve, të largojë qytetarë nga “zonat e mbrojtura”, të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjete dhe të vendos gjoba deri në 500 mijë lekë, sa dhjetë paga minimale;

Aktin normativ nr. 6/2026 i cili i bën organizatorët përgjegjës solidarisht për dëmet e shkaktuara nga të tjerë gjatë protestave të tetorit dhe vendos gjoba për sjellje të kryera para se këto gjoba të ekzistonin;

VKM-në nr. 815/2026 i cili krijon një regjistër policor në prokurori që personit t’i refuzohet dalja nga vendi pa vendim gjykate ose të njoftohet shteti ku udhëton, policia njofton për të edhe hotelet.

Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë.

Për këtë arsye, kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues.

Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik.

Ftojmë gazetarët të jenë të pranishëm sot, më 5 nëntor, në orën 14.00, përpara Gjykatës Kushtetuese.

Ne do të jemi aty, me tre ankime dhe me të njëjtën vendosmëri për të mos heshtur përballë padrejtësisë.

Me respekt,

Studentët n’ Protestë


Shtuar më 5.11.2026 11:17