Një hetim të menjëhershëm që të përfshijë Edi Ramën, Toni Gogun dhe Arbër Hajdarin ka kërkuar Partia Demokratike, pas bërjes publike të letrës së Erion Veliajt nga burgu i Fierit. Në reagimin për mediat, PD e ka përshkruar si “shantazh mafioz” atë që kryebashkiaku pretendon se i është përcjellë në qeli.
Në letrën e tij, Veliaj pretendon se kryeministri Edi Rama i ka paraqitur tri kërkesa nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Njëra prej tyre, sipas kryebashkiakut, ishte dorëzimi i Bashkisë së Tiranës te Arbër Hajdari, përndryshe do të përballej me 100 vite burg.
Të lidhura
None found
Për opozitën, kërcënimet e pretenduara përbëjnë një ngjarje tejet të rëndë, që vë në pikëpyetje edhe sigurinë e Veliajt gjatë qëndrimit në burgun e Fierit. Demokratët pretendojnë gjithashtu se SPAK po shfrytëzohet për të ushtruar presion në konfliktet brenda mazhorancës.
Duke dënuar atë që e cilëson si kërcënim ndaj Veliajt në qeli, Partia Demokratike u bën thirrje institucioneve të drejtësisë ta hetojnë pa vonesë këtë rast.
Në deklaratën e saj, PD i referohet letrës së publikuar sot nga mediat, ku Veliaj shkruan se, pasi ishte transferuar në burgun e Fierit, Rama i kishte dërguar në qeli ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu. Sipas pretendimit të përcjellë në letër, atij i është kërkuar t’ia dorëzojë bashkinë Arbër Hajdarit ose të përballet me 100 vjet burg për prishje të rendit kushtetues dhe financim të “Flamingove”.
Partia Demokratike e Shqipërisë shprehet se këto kërcënime të pretenduara ndaj të burgosurit Erion Veliaj nxjerrin në pah, sipas saj, fytyrën e vërtetë të Edi Ramës.
Në vlerësimin e PD-së, akti është skandaloz dhe tregon se jeta e Veliajt në burgun e Fierit ndodhet në rrezik serioz. Po sipas kësaj partie, SPAK-u është kthyer në mjet shantazhi në përplasjen brenda radhëve të mazhorancës.
Në përfundim të deklaratës, demokratët e dënojnë me forcë maksimale kërcënimin e pretenduar ndaj Veliajt në qeli dhe kërkojnë hetim urgjent të këtij akti, ku të përfshihen Edi Rama, Toni Gogu dhe Arbër Hajdari.






