Mexhiti pas zgjedhjeve në Bërvenicë: Demokracitë multietnike nuk duhet të ndahen në “ne” dhe “ata

Pas përfundimit të zgjedhjeve në Bërvenicë, bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, bëri thirrje që të ulen tensionet politike dhe t’i jepet përparësi dialogut e bashkëpunimit.

Në një postim në Facebook, ai i quajti “folklor politik” deklaratat nxitëse të bëra gjatë fushatës, si edhe qëndrimet polarizuese të shprehura mbrëmë dhe sot, pas zgjedhjeve. Mexhiti theksoi se procesi zgjedhor ka përfunduar dhe qytetarët e kanë shprehur lirisht vullnetin e tyre me votë.

Të lidhura

None found

Sipas tij, votat nuk janë pronë e asnjë subjekti politik. Ai kritikoi gjithashtu pozicionimin kundër të gjithëve, duke e cilësuar si një qasje që nuk sjell sukses dhe që, herët a vonë, krijon zhgënjim.

Mexhiti u shpreh se në demokracitë multietnike nuk duhet të ketë ndarje mes “ne” dhe “ata”, pasi një dallim i tillë nënkupton pabarazi dhe prirje për ta suprimuar tjetrin. Ai e cilësoi dialogun dhe bashkëpunimin si kushte të domosdoshme për funksionimin e çdo shoqërie dhe si detyrim për të gjithë aktorët shoqërorë në mjediset multietnike.

Duke iu referuar reagimeve paszgjedhore, ai tha se nuk ka arsye të merret vëmendja me arsyetime e interpretime që u paraqiten qytetarëve sa herë rezultatet nuk përmbushin pritshmëritë e dikujt. Qytetarët vendosin përmes votës, ndërsa politika, sipas Mexhitit, duhet të mbajë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e saj.