Rigon Llugiqi, organizatori kryesor i Prishtinës: Pas një periudhe të vështirë, mesfushori është bërë shtyllë e ekipit

Rigon Llugiqi po përjeton një sezon shumë të mirë me Prishtinën, ku është kthyer në një prej elementeve më të rëndësishme të formacionit të Orges Shehit.

Pas vështirësive të shkaktuara nga një dëmtim serioz, 23-vjeçari ka rikuperuar formën dhe tashmë luan një rol qendror në mesfushën bardhekaltër.

Të lidhura

None found

Organizatori i lojës së Prishtinës

Ndërsa Dren Zeqiri dhe Arijanit Fazlija i japin forcë skuadrës, Llugiqi është lojtari që lidh repartet dhe drejton lojën e Prishtinës.

I pozicionuar përpara dy mbrojtësve, ai ndërton aksionet, kontrollon ritmin dhe vendos kur ekipi duhet të shtojë intensitetin apo të qarkullojë më qetë topin. Mënyra e tij e lojës shpesh krijon përshtypjen se ka një përvojë shumë më të madhe se ajo që tregon mosha.

Mesfushori iu bashkua Prishtinës në vitin 2024, pas transferimit nga Ramiz Sadiku. Përveç aftësisë për të organizuar lojën dhe qetësisë në zotërimin e topit, ai kontribuon edhe në rikuperimin e sferës.

Ky profil i plotë e ka bërë Llugiqin një prej mesfushorëve më të spikatur të këtij sezoni, si në radhët e Prishtinës, ashtu edhe në të gjithë Superligën e Kosovës.

Problemet fizike nuk e penguan rikthimin

Pesha e tij në ekip shihet qartë edhe nga minutat që ka luajtur. Në 11 ndeshjet e kampionatit të këtij sezoni, ai ka munguar vetëm në takimin ndaj Vushtrrisë, të zhvilluar në kuadër të xhiros së katërt.

Shkak për këtë mungesë ishte një dëmtim në kyçin e këmbës, të cilin e pësoi në sfidën e javës së tretë kundër Llapit, ku qëndroi në fushë vetëm 45 minuta.

Një tjetër shqetësim fizik u shfaq në përballjen me Drenicën në javën e pestë. Në atë ndeshje, Llugiqi u detyrua të largohej nga loja që në minutën e 19-të.

Në tetë takimet e tjera, ai ka luajtur nga minuta e parë deri në fund, duke konfirmuar rëndësinë e tij dhe statusin e një prej titullarëve të pazëvendësueshëm të Orges Shehit.

45 paraqitje me Prishtinën

Përpara transferimit te klubi kryeqytetas, Llugiqi ka luajtur për Ramiz Sadikun dhe ka pasur edhe një eksperiencë në futbollin zviceran, si pjesë e Yverdon Sportit. Me fanellën e Prishtinës, ai numëron gjithsej 45 paraqitje dhe dy gola.

Forma e rikthyer e mesfushorit përbën një zhvillim të rëndësishëm për Prishtinën, që po kalon një sezon pozitiv.

Pas 11 xhirove të para, skuadra bardhekaltër ka siguruar 26 pikë dhe mban vendin e dytë në renditje, me të njëjtin numër pikësh si liderja Malisheva.

Brenda kësaj ecurie, ndikimi i Llugiqit në qendër të mesfushës po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Në moshën 23-vjeçare, ai tashmë është një prej futbollistëve që përcaktojnë stilin dhe identitetin e lojës së Prishtinës.


Shtuar më 1.11.2026 10:03