Meta Platforms, që zotëron Instagramin dhe Facebook-un, ka zgjidhur jashtë gjykatës padinë e një 18-vjeçareje. Ajo pretendonte se platformat ishin projektuar për të nxitur varësi dhe se përdorimi i tyre i kishte shkaktuar probleme të shëndetit mendor dhe çrregullime të të ngrënit.
Marrëveshja me paditësen, e identifikuar me inicialet KDB, nuk është bërë publike. Ky është rasti i dytë brenda një jave që Meta e mbyll me marrëveshje, pas zgjidhjes së çështjes me 16-vjeçaren SJ.
Të lidhura
None found
Pas tërheqjes së Metës nga procesi, gjyqi që pritet të nisë së shpejti në Los Angeles do të zhvillohet vetëm kundër Snap Inc., kompanisë mëmë të Snapchat-it.
Emily Jeffcott, avokatja e 18-vjeçares, tha se ekipi i saj do të vazhdojë përpjekjet për të mbrojtur fëmijët në rrjetet sociale dhe për t’i kërkuar llogari industrisë së teknologjisë për ndikimin e saj te të rinjtë.
Sipas padisë, SJ nga Illinois dhe KDB nga Misisipi nisën të përdornin YouTube kur ishin 3 vjeçe, ndërsa në moshën rreth 9-vjeçare iu bashkuan edhe platformave të tjera sociale. Ato argumentojnë se funksione të tilla si nisja automatike e videove dhe lëvizja pa fund në ekran nxitën përdorim kompulsiv dhe varësi nga aplikacionet.
Kompani të përmendura në padi i kanë kundërshtuar pretendimet. Ato thonë se shërbimet e tyre nuk janë krijuar për të shkaktuar varësi te të rinjtë dhe se kanë marrë masa për një përvojë më të sigurt për përdoruesit e mitur.
Padia është pjesë e disa proceseve të ngritura në Shtetet e Bashkuara kundër gjigantëve të teknologjisë. Në një çështje të gjykuar në mars, juria e shpalli Metën dhe YouTube-in përgjegjës për neglizhencë dhe caktoi 6 milionë dollarë dëmshpërblim për një grua të re.
TikTok-u dhe YouTube-i kishin arritur më herët marrëveshje me dy adoleshentet në çështjen e Los Angeles-it. Edhe një distrikt shkollor, që kishte paditur kompanitë e mediave sociale, zgjodhi zgjidhjen jashtë gjykatës para seancave gjyqësore.
Në gusht, Meta arriti marrëveshje prej 18 miliardë dollarësh me pothuajse të gjitha shtetet dhe territoret amerikane, duke u dhënë fund padive që lidhen me dëmet që platformat e saj u shkaktojnë të rinjve. Kompania u zotua gjithashtu të ndryshojë disa funksione të Instagramit dhe Facebook-ut për përdoruesit adoleshentë.
Në fillim të këtij muaji, një gjykatës në New Mexico e urdhëroi Metën të paguante gjobë prej 25 miliardë dollarësh. Çështja kishte të bënte me akuza se kompania kishte mashtruar përdoruesit për mënyrën si trajtonte gjuhën e urrejtjes dhe të dhënat personale në Facebook.



