Një sulm kibernetik ndaj Binance, gjigantit të kriptomonedhave, ka rezultuar në vjedhjen e 6.3 miliardë dollarëve.
Kompania ka konfirmuar incidentin, i cili mund të jetë grabitja më e madhe e këtij lloji në historinë e tregut të kriptomonedhave. Binance dyshon se sulmi u krye nga hakerë të mbështetur nga shteti i Koresë së Veriut; ndërkohë, rreth 3 miliardë dollarë janë ngrirë.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, autorët kryen transaksione të paautorizuara pasi fituan qasje në laptopin e komprometuar të një inxhinieri të kompanisë. Pas incidentit, Binance pezulloi përkohësisht të gjitha depozitat dhe tërheqjet.
Binance deklaroi se do të përballojë të gjitha humbjet financiare dhe se paratë e përdoruesve janë të sigurta.
“Ekipet tona po punojnë pa ndërprerje për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë të sigurt dhe të plotë”, thuhet në deklaratën që kompania i dha televizionit Al Jazeera të Katarit.
Kompania po bashkëpunon me autoritetet ligjzbatuese për të identifikuar personat përgjegjës dhe për t’i çuar ata para drejtësisë. Binance tha se do të publikojë një raport teknik të hollësishëm për mënyrën e realizimit të sulmit, pasi të përfundojnë hetimet.
Ndërkaq, firma e inteligjencës blockchain TRM vlerëson me “besueshmëri të lartë” se pas sulmit qëndron njësia e hakerëve TraderTraitor, e lidhur me Korenë e Veriut dhe grupin e njohur Lazarus.
Ngjarja e paprecedentë po shihet si pikë kthese për sigurinë e tregut të kriptomonedhave. Fondet e vjedhura mund të përdoren për të financuar programe armësh dhe veprimtari të tjera destabilizuese, duke e kthyer çështjen në shqetësim për sigurinë globale, përtej një vjedhjeje financiare.
Lajmi shkaktoi reagim të menjëhershëm në tregjet e kriptomonedhave. Bitcoin, monedha dixhitale më e përdorur në botë, ra me rreth 5 për qind dhe zbriti nën 77 mijë dollarë.





