Italia në grevë 24-orëshe, mijëra protestues në rrugë; Milano shton masat e sigurisë

Italia po përjeton sot një ditë protestash dhe greve të përgjithshme, e cila zgjat 24 orë.

Sindikata dhe grupe studentore kanë organizuar marshime në disa qytete, duke kundërshtuar shtrenjtimin e jetesës, dobësimin e fuqisë blerëse dhe shtimin e shpenzimeve ushtarake.

Të lidhura

None found

Greva është thirrur nga sindikata USB dhe prek punonjësit e sektorit publik e privat, si edhe personelin shëndetësor. Në spitale do të ruhen shërbimet bazë dhe trajtimi i urgjencave. Mobilizime të ndryshme janë zhvilluar në qytete nga Roma e Torinoja deri në Trieste dhe Bolonja.

Në Bolonja, studentët kanë bllokuar hyrjet e disa shkollave. Ndërkaq, rreth 500 protestues janë mbledhur pranë portit të Triestes, me pankarta kundër luftës dhe riarmatimit.

Në Romë pritet të marrin pjesë mbi 20 mijë persona. Për të ruajtur mbarëvajtjen paqësore të tubimeve dhe për të shmangur përplasjet, autoritetet kanë angazhuar forca shtesë policore.

Nisma ka sjellë edhe përplasje mes qeverisë dhe sindikatave. Ministri i Transportit, Matteo Salvini, kërkoi që greva të shtyhej, por organizatorët nuk pranuan dhe e konfirmuan protestën.

Në Milano, autoritetet kanë rritur nivelin e sigurisë, duke shprehur shqetësim për incidente të mundshme dhe akte vandalizmi gjatë demonstratave.

Në marshimin kryesor pritet të jenë të pranishme sindikatat, shërbimi i sigurisë i organizuar nga protestuesit dhe forca të shumta policie e karabinierësh. Kjo prani synon të pengojë grupet që mund të përpiqen ta shndërrojnë të premten në Milano në një tjetër ditë dhune dhe përplasjesh në rrugë.


Shtuar më 30.10.2026 13:36