Samuel Krasniqi shkëlqen te Grasshoppersi, por ende nuk ka zgjedhur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës

Samuel Krasniqi vazhdon paraqitjet e mira me Grasshoppersin, ndërsa ende nuk e ka përcaktuar se cilën përfaqësuese do të përfaqësojë në arenën ndërkombëtare.

Sulmuesi 19-vjeçar është kontaktuar më herët nga grupmoshat e Kosovës dhe Shqipërisë, por vendosi fillimisht të luajë për Zvicrën U21.

Të lidhura

None found

Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Krasniqi foli edhe për raportin e veçantë që ka me kapitenin e ekipit, Amir Abrashi. Sipas tij, Abrashi e mbështet dhe e ndihmon vazhdimisht në përparimin e tij si futbollist.

“Me Amirin kam një lidhje shumë të afërt. Ai është bashkëlojtari im më i mirë në ekip. Më ndihmon jashtëzakonisht shumë, por njëkohësisht është edhe i rreptë me mua, gjithmonë në kuptimin pozitiv. Nuk besoj se do të isha në nivelin ku jam sot nëse nuk do ta kisha pranë një lojtar si ai”.

Krasniqi, njësoj si Abrashi, ka prejardhje shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova. Për këtë arsye, futbollisti i Përfaqësueses U21 të Zvicrës mund të zgjedhë në të ardhmen mes tri kombëtareve.

“Zgjedhja e kombëtares është diçka shumë personale për mua. Ende nuk kam arritur në atë pikë që të them se kam marrë një vendim përfundimtar për një shtet. Për të ardhmen, po i lë të gjitha mundësitë të hapura”.

Në aspektin e karrierës në klube, futbollisti preferon të ecë përmes objektivave të vegjël dhe realistë. Megjithatë, ai pranon se një nga dëshirat e tij është të luajë një ditë në Spanjë.

“Spanja! Mendoj se është kampionati që i përshtatet më shumë stilit tim të lojës”.

“Lionel Messi është futbollisti im i preferuar”, ka përfunduar Krasniqi.