Zyrtarë serbë kanë deklaruar se Aleksandar Vuçiç ishte bërë gati të përdorte një rrëmbim pushteti për të qëndruar në detyrë, por më pas hoqi dorë pas bisedimeve me qeveri evropiane.
Sipas politikanëve dhe një ish-zyrtari të policisë që folën për “The Times”, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishte shumë pranë nisjes së një grushti shteti të dhunshëm, përpara se të njoftonte papritur tërheqjen e tij të dielën.
Të lidhura
None found
Pas 12 vitesh në pushtet, Vuçiç dyshohet se kishte vendosur të mos largohej, por qëndrimi i tij ndryshoi kur u bë e qartë se Lista e Studentëve kishte siguruar një epërsi prej 500,000 votash në zgjedhjet e përgjithshme. Në atë moment, ai mori edhe telefonata që e këshillonin të mos e çonte më tej përplasjen.
“Jam 100 për qind i sigurt se ai po përgatitej të mos e pranonte rezultatin. Të dielën, ai dërgoi 4,000 policë dhe 3,000 banditë në qendër të Beogradit për të mbrojtur regjimin”, tha Spasoje Vulevic, ish-drejtues i njësisë antiterroriste të policisë serbe.
Sandro Gozi, eurodeputet dhe drejtues i Partisë Demokratike Evropiane në Parlamentin e BE-së, deklaroi se grupi i tij kishte marrë informacione për një skenar të tillë.
“Të dielën morëm raporte alarmuese nga burime diplomatike, sipas të cilave ai ishte gati të luftonte dhe të organizonte një grusht shteti”, u shpreh ai.
Edhe Radomir Saicic, një nga kandidatët kryesorë të Listës së Studentëve, i propozuar për poste të rëndësishme në qeverinë e ardhshme serbe, pretendoi se Vuçiç kishte parashikuar përdorimin e dhunës, por më vonë ndryshoi qëndrim.
“Ekzistonte një plan për ta përmbysur rezultatin me forcë brutale nëse diferenca do të ishte e vogël. Por kam marrë informacion se ai mori telefonata të shumta nga policia dhe persona të tjerë, të cilat e bindën të hiqte dorë. Ai e kuptoi se zbatimi i këtij plani do të kishte pasoja shumë të rënda për të”, tha ai.
Saicic tha gjithashtu se një ish-polic, i cili u kishte kërkuar kolegëve të mos ushtronin dhunë dhe të mos qëllonin ndaj protestuesve, ishte kërcënuar në mënyrë anonime me fjalët: “Plumbi i parë është për ju”.
Vuçiç u përball me sfidën më të fortë elektorale të karrierës së tij nga një lëvizje studentore, e cila e akuzonte për kontrollin e shtetit, policisë, gjyqësorit dhe medias. Ai, nga ana e tij, pretendoi se kundërshtarët ishin agjentë të qeverive të huaja, pa i identifikuar ato.
Teksa një numër rekord qytetarësh morën pjesë në votimin e së dielës, persona të veshur me të zeza u drejtuan për në Parkun e Pionierëve në Beograd. Synimi ishte të rimerrnin një zonë kampingu në qytet, ku për muaj me radhë kishin qëndruar mbështetës të dhunshëm të Vuçiçit, të cilët raportohet se paguheshin nga partia e tij.
“Ata u dërguan në grupe të vogla, nga 20 deri në 30 persona për çdo grup”, deklaroi Vuleviç.
Ndërkohë, pjesëtarë të Xhandarmërisë së Serbisë, të veshur me uniforma të gjelbra, morën pozicione në terren. Qarkullimi i automjeteve në rrugë u ndërpre dhe ndriçimi publik u fik.
“Të dielën në mëngjes, Vuçiç mendonte se ishte i paprekshëm. Dyshoj se po përgatiteshin të njoftonin për parregullsi në votime dhe të kërkonin përsëritjen e tyre, gjë që do të nxiste protesta. Më pas do ta përdornin dhunën e shkaktuar si një tjetër arsye për anulimin e zgjedhjeve”, tha Rade Gjuriç, avokat pranë Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë.
Megjithatë, rreth orës 21:30, pra 90 minuta pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç ndryshoi qëndrim dhe personat e armatosur u larguan. Në Beograd qarkulluan zëra të pakonfirmuar se ai ishte bindur nga Viktor Orban, i cili në prill u rrëzua vetë nga detyra në Hungari, pas 16 vitesh qeverisjeje të dyshuar për korrupsion.
Vuleviç tha se Vuçiç ishte shtyrë të pranonte rezultatin, por jo nga drejtuesit e policisë. Sipas tij, të gjithë komandantët që drejtonin njësitë në Beograd ishin përzgjedhur me kujdes nga Vuçiç dhe nuk pritej që ta kundërshtonin atë.
“Besoj se Vuçiç mori telefonata nga qeveri evropiane dhe se bëhej fjalë për biseda në nivelin më të lartë”, shtoi Vuleviç.
Një zëdhënëse e Vuçiçit i tha “The Times” se vendosja e forcave policore në Beograd ishte bërë për t’iu përgjigjur kërcënimeve për dhunë nga protestuesit dhe nuk kishte lidhje me ndonjë përpjekje për marrjen e pushtetit.
Në orën 18:43 të së dielës, grupi i drejtuar nga Gozi publikoi një deklaratë ku paralajmëronte se partia e Vuçiçit mund të mobilizohej për të shkaktuar përplasje rreth orës 21:00, në kohën kur do të shfaqeshin parashikimet e para të rezultatit zgjedhor.
“Nuk mund ta përjashtoj mundësinë që të bëheshin thirrje të tilla, por, sidoqoftë, votat kundër tij ishin thjesht shumë të shumta. Vuçiç mbeti i befasuar”, tha Gozit.






