Komunat në Maqedoni lidhën tenderë prej 356 milionë eurosh gjatë vitit 2025, Tetova kryeson renditjen

Gjatë vitit 2025, komunat në Maqedoni, së bashku me Bashkinë e Shkupit, lidhën 4,300 kontrata të prokurimit publik, me vlerë të përgjithshme rekord prej 21.9 miliardë denarësh, përkatësisht 356 milionë euro.

Sipas hulumtimit të Qendrës për Komunikime Qytetare, shuma e tenderëve në vitin zgjedhor ishte pothuajse dy herë më e lartë se një vit më parë dhe ishte e barabartë me vlerën e kombinuar të dy viteve paraprake.

Të lidhura

None found

Në krye të listës për vlerën e përgjithshme të prokurimit publik u rendit Komuna e Tetovës, me 22.5 milionë euro. Në skajin tjetër ndodhet Komuna e Nagoriçanit të Vjetër, e cila lidhi kontrata me vlerë nën gjysmë milioni euro.

Tetova shënoi edhe rritjen më të madhe vjetore të vlerës së tenderëve, e cila arriti deri në 20 milionë euro. Ndërkohë, Strumica pati rënien më të theksuar, pasi vlera e prokurimit publik atje u zvogëlua me gjashtë milionë euro.

Për të dytin vit me radhë, Bashkia e Shkupit nuk është komuna me vlerën më të lartë të prokurimit publik. Pas renditjes në vendin e gjashtë vitin e kaluar, këtë vit ajo zbriti në pozitën e 14-të, me tenderë në vlerë prej 8.5 milionë eurosh.

Në bazë të shpenzimeve për banor, Çairi kryeson me 2,381 euro për kokë banori. Vlerën më të ulët e ka Qendra Zhupa, ku prokurimi publik arrin vetëm 12 euro për kokë banori.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se gjatë vitit të kaluar komunat lidhën kontrata të prokurimit publik me 1,185 kompani. Megjithatë, vetëm dhjetë kompani përfituan më shumë se një të katërtën e vlerës së përgjithshme të tenderëve lokalë.

Kontratat me vlerën më të madhe totale iu dhanë kompanisë “Zhikol” nga Strumica, me marrëveshje që kapin shumën prej një miliard denarësh, ose rreth 16 milionë euro.

Qendra për Komunikime Qytetare publikoi hulumtimin dhe bazën e të dhënave për prokurimin publik të komunave gjatë vitit 2025. Në bazën e posaçme të të dhënave javninabavki.opendata.mk janë të qasshme edhe të dhënat për prokurimin publik komunal nga viti 2015 e deri më sot./Telegrafi/