Ndryshimet e propozuara në ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2026 përfshijnë financimin e pagës së 13-të, kompensimin retroaktiv të përvojës së punës dhe mbulimin e shpenzimeve për pensionet bazike.
Ministrisë së Financave pritet t’i shtohen 102 milionë euro në kategorinë “Paga dhe shtesa”. Sipas projektligjit, kjo shumë do të përdoret për pagesën e pagës së 13-të dhe për kompensimin retroaktiv të përvojës së punës, bazuar në aktgjykimin KO79/23 të Gjykatës Kushtetuese.
Të lidhura
None found
Projektligji përfshin edhe ndarjen e 20 milionë eurove shtesë për Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare. Fondet do të menaxhohen përmes Departamentit të Pensioneve dhe do të shërbejnë për mbulimin e kostos së pensioneve bazike.
Njëkohësisht, qeveria do të autorizohet të kërkojë shpërndarjen e dividendës nga ndërmarrjet publike, në një vlerë deri në 30 milionë euro, për financimin e nevojave të buxhetit.
Dispozitat e projektligjit përcaktojnë se të hyrat nga dividenda duhet të derdhen në llogarinë e vetme të Thesarit jo më vonë se 30 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Po ashtu, qeveria, me rekomandimin e ministrit të Financave, do të mund të miratojë kompensimin retroaktiv të përvojës së punës për punonjësit që paguhen nga buxheti i Kosovës, në përputhje me aktgjykimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese.
Në kuadër të ndryshimeve parashihet edhe azhurnimi i tabelave përkatëse buxhetore. Ligji do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.






