Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kërkon që vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës të hetohet në mënyrë të plotë, efektive dhe të pavarur. Hetimi, sipas organizatës, duhet të përfshijë edhe veprimet apo mosveprimet e institucioneve që kishin trajtuar rastin.
IKD thotë se të dhënat e publikuara, sipas të cilave viktima kishte kërkuar ndihmë institucionale dhe Policia e kishte trajtuar si viktimë të dhunës në familje pak para se të vritej, ngrenë dyshime serioze se mund të ketë pasur dështime në mbrojtjen e jetës së saj.
Të lidhura
None found
Organizata kërkon shqyrtimin e mënyrës si kanë vepruar Policia, Prokuroria, Gjykata, Qendra për Punë Sociale dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës. Nëse evidentohen shkelje, IKD kërkon të merren masa konkrete penale, disiplinore dhe administrative.
IKD u bëri thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë për Vettingun në sistemin e drejtësisë. Ajo theksoi se pritja për këtë proces nuk duhet të pengojë llogaridhënien në raste të veçanta.
Gjithashtu, organizata kërkon përmirësimin e masave për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje dhe i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të rishikojë legjislacionin penal për vrasjet e grave, përfshirë mundësinë e njohjes së shprehur të femicidit.
IKD është shprehur e gatshme t’i ofrojë familjes së të ndjerës këshillim dhe përfaqësim juridik pa pagesë, me qëllim që të shqyrtohet mundësia e kërkimit të përgjegjësisë së shtetit për cenimin e mundshëm të së drejtës për jetë.






