nga Andi Bushati
Goditja e fortë që mori partia shtet e Aleksndar Vuçiçit në zgjedhjet e të dielës në Serbi ka rihapur një debat që gëlon prej kohësh edhe këtej në anët tona, atë nëse është e mundur që me anë të zgjedhjeve të hiqet qafe një regjim autokratik. Lista laramane e studentëve serbë, e përbërë nga profesorë, sportistë, buq dhe mjekë mendohet se ka fituar 135-140 deputetë në një parlament me 250 ulëse, duke krijuar kështu iluzionin se hesapet me një klikë uzurpatorësh mund të lahen përmes kutive të votimit.
Të lidhura
None found
Pushteti 13 vjeçar i progresistëve serbë i kishte të gjitha mjetet në dorë për të mos e bërë të mundur rotacionin. Ata kontrollonin jetën ekonomike të vendit dhe kishin në dispozicion ku e ku më tepër para sesa konkurentët e tyre që ndoqën taktikën e takimit derë më dërë me zgjedhësit. Ata kishin lidhje të forta me grupet kriminale, të cilët i patën përdorur për të luftuar me maska dhe hunj kundër protestuesve që marshuan pa u lodhur prej dy vitesh në rrugët e Beogradit, Novi Sadit e të qyteteve më të vogla. Ata dominonin një apparat mediatik TV=sh e gazetash, publike dhe private, që bënte nga mëngjesi në darkë propagandën e autokratit. Ata patën vënë nën thundër kompanitë e sondazheve shumica prej të cilave, deri në ditët e fundit, kishin parashikuar një garë me foto finish dhe jo rezultatin e qartë që kemi para syve sot.
Atëherë pyetja ngrihet: Si u bë e mundur shembja e Vuçiçit? A mjafton një opozitë e re, e besueshme, një mobilizim popullor që të ngadhënjësh në zgjedhje jo të lira, jo të drejta dhe jo të barabarta, ashtu siç janë kurdoherë nën një regjim autokratik? Natyrisht që jo! Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se si ky lloj pushteti nuk mund të mposhtet në rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tij, përmes metodash që në pjesën e tyre më të madhe konsiderohen të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi.
Në fakt, për të kuptuar mrekullinë e këtij 25 tetori, nuk mjafton të shohësh vetëm rezultatin që po del nga kutitë, por gjithë trajektoren dyvjeçare të një përplasjeje epike. Që kur në nëntorin e 2024-ës, rënia e një strehe stacioni treni në Novi Stad shkaktoi 16 viktima, vendi ynë fqinj nuk gjeti paqe. Studentët të mbështetur më pas edhe nga qytetarët bllokuan akset kryesore të vendit, u treguan të gatshëm të përleshen me policinë, poushtuan universitetet, dogjën selitë e partisë në pushtet. Ata iu rezistuan persioneve të shumta, shkopave të gomës, gazit lotësjellës, makinave me ujë dhe topave shurdhues. Ata u kacafytën me paramilitarët e maskuar dhe iu përgjigjën dhunës së tyre me dhunë. Ata i përqeshën etiketimet e Vuçiçit, që ngjajnë si dy pika uji me ato të Edi Ramës sot. Edhe autokrati serb i akuzoi kundërshtarët e tij si nazistë, pastaj se i shërbejnë interesave të huaja, më tej se po duan të zbrapsin përparimin e vendit, duke i tallur se janë pak dhe të pa organizuar. Përgjigjja që ata shtruan para shoqërisë qe e qartë, ose zgjidhni të ardhmen e Serbisë, ose zgjidhni mafien.
Ky dyluftim i fortë, herë paqësor e herë i dhunshëm, herë masiv e herë më pak i tillë, filloi ta gryejë pushtetin e autokratit serb. Vuçic u bë i pabesueshëm pasi vendosi ta identifikojë veten me kombin dhe ta shiste si të vetmin përparim për të ardhmen e tij. Ai u bë qesharak kur i vizatoi ata studentë xhenuinë si “terrorisë”, “fashistë”, “tradhëtarë”. Ai e humbi besimin si faktor stabiliteti kur nuk arriti ti mposhtë dot, as me dhunën e policisë, as me shkopat e paramilitarëve që dilnin në qytet për të goditur të rinjtë. Atij iu rrënua kulti i pathyeshmërisë, kur demostruesit guxuan ti digjnin selitë e PSP-së dhe kur ata pushtuan universitetet duke u bashkuar dhe me pedagogët.
Pra, po ta ndjekësh hap pas hapi trajektoren e këtij revolucioni serb ajo nuk është thjeshtë historia e një autokrati që rrëzohet përmes zgjedhjesh, por përpjekja e një beteje të përditshme, shpesh të ashpër dhe të dhunshme, shpesh inteligjente dhe paqësore, për ta grryer, mpakur, tkurur e telendisur pushtetin e tij. Në 25 tetorin e tanishëm u arrit vetëm pas këtij procesi dy vjeçar që u desh, po aq sa për të grisur përfundimisht kartolinën e propagandës së Vuçiçit edhe sa për të vrarë frikën duke rrëzuar mitin e njeriut që mbështetet nga të fortët.
Në këtë kuptim, mrekullia serbe mund të shërbejë si një manual përdorimi për këdo që ka përqafuar, këtu tek ne, fillimisht revolucionin e flamingove, e më pas kthesën e tij të pashmangshme radikale. Të gjithë ata që e duan suksesin e tij nuk kanë pse joshen nga sirenat mashtruese të atyre që predikojnë se, studentët duhet të krijojnë parti, se flamingot duhet të zgjedhin përfaqësi për të dialoguar me pushtetin, pasi në demokraci gjithçka vendoset vetëm me zgjedhje. Shembulli që na vjen nga Beogradi është se, po gjithësei, tek zgjedhjet do të arrihet një ditë, por se pikë së pari duhet vijuar me rrugën e nisur në Tiranë. Atë të tronditjes së ditëpasditshme të regjimit, atë të provokimit për të shpërfaqur në sy të të gjithëve anën më kriminale dhe të çmendur të tij, atë të përplasjes, për ta dobësuar sa më tepër, përpara së të mbërihet tek kutitë e votimit. Autokrati ynë, që prej vitesh paguan të njëjtët spin doctors-a si vëllu i tij sllav, deri më tani ka ndjekur po ato kundërpërgjigje të gabuara si Vuçiç. Ai e ka barabitur veten me shtetin, ka përqafuar teoritë e komplotit të një dore të huaj, i ka denigrur protestuesit dhe ka përdorur mjetet më të dhunshme që disponon për të mpshtur demostruesit. Por kjo ka prodhuar vetëm një efekt, rrënimin përfundimtar të fasadës si demokrat dhe nga ana tjetër, vrasjen e frikës prej dhunës së tij. Prandaj, ne jemi sot, pak a shumë si Sebia e gati një apo dy viteve më parë dhe nëse dimë të ndjekim më vendosmëri të njëjtën rrugë, atëhere dhe regjimi ynë mund të shembetet vetvetiu, pa pasur parti që e konkurojnë në zgjedhje, por thjeshtë nga një listë profesorësh, mjekësh, apo zanatçinjsh të zgjedhur thjeshtësisht nga përfaqësi studentësh, merita e të cilëve qe se e telendisën aq shumë klikën e Vuçiçit, sa i shndërruan votimet pothuajse në formalitet. /Lapsi





