Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për protestë të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Organizatorët u kërkojnë qytetarëve t’i bashkohen mobilizimit kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat e femicidit, si dhe përgjegjësi nga institucionet për rastet e vrasjeve dhe dështimet e pretenduara në parandalimin e tyre.
Të lidhura
None found
Thirrja për protestë lidhet edhe me vrasjen e fundit të Arlinda Zekajt. Sipas Kolektivit, ajo kishte kërkuar ndihmë para se të vritej, ndërsa ky rast, bashkë me rastet e tjera të femicidit, tregon nevojën për një reagim më të fortë institucional ndaj paralajmërimeve për dhunë dhe rreziqeve që u kanosen grave.
Kolektivi thekson se dhuna ndaj grave nuk duhet të konsiderohet dukuri e zakonshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga shoqëria dhe institucionet për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e tyre.
Sipas organizatorëve, dhuna ndaj grave është e lidhur me një shoqëri patriarkale dhe me një sistem institucional që nuk po ofron mbrojtjen e nevojshme. Për këtë arsye, ata kërkojnë që përgjegjësitë institucionale të identifikohen dhe të adresohen.
Përveç tubimit të së mërkurës, Kolektivi ka paralajmëruar edhe veprime të tjera në ditët në vijim, të drejtuara ndaj institucioneve që kanë përgjegjësi për drejtësinë dhe sigurinë publike. Në këtë listë përfshihen Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës dhe Qeveria.
Ndër kërkesat kryesore janë shpallja e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, forcimi i përgjegjësisë institucionale, mbrojtja e grave nga dhuna dhe sigurimi i drejtësisë për viktimat e femicidit.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist u ka bërë thirrje qytetarëve të solidarizohen dhe të marrin pjesë në protestë, në mbështetje të kërkesave për siguri, liri dhe drejtësi për gratë në Kosovë.





