Ish-kreu i Dhomës Amerikane, Enio Jaço, ka reaguar pas humbjes së Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet e parakohshme në Serbi, duke e cilësuar zhvillimin si një lajm të jashtëzakonshëm për të gjithë ata që shpresojnë në fundin e pushteteve autokratike në Ballkan.
Në reagimin e tij, Jaço thekson se pushteti i Vuçiçit për një kohë të gjatë është perceptuar si i paprekshëm, por zhvillimet e fundit kanë dobësuar bindjen se liderët autoritarë nuk mund të largohen nga pushteti.
Të lidhura
None found
Sipas Jaços, kjo ngjarje ka një domethënie të veçantë edhe për Shqipërinë, për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit serb, si dhe ngjashmërive që ai sheh në mënyrën e ushtrimit të pushtetit në të dyja vendet.
“Humbja e Vuçiç është lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që ëndërrojnë fundin e autokratëve ne Ballkan.
Pushteti i tij dukej i paprekshëm. Por sot, bindja se “këta nuk ikin kurrë” është më e dobët se kurrë.
Në Shqipëri, kjo humbje ka një domethënie të veçantë. Miqësia mes Ramës dhe Vuçiç, ngjashmëritë në qeverisjen autokratike dhe revolta që i nxori studentët në rrugë në të dyja vendet e bëjnë krahasimin të pashmangshëm”, shkruan Jaço.
Po ashtu ai thotë se përvoja e studentëve serbë mund të shërbejë si shembull për të rinjtë shqiptarë që kërkojnë ndryshim.
“Por ndryshimi në Serbi nuk e sjell automatikisht ndryshimin në Shqipëri.
Studentët shqiptarë kanë shumë për të mësuar nga ata serbë: si u organizuan, si fituan besimin e qytetarëve dhe mbi te gjitha – si u zgjeruan përtej universiteteve.
Sot fituan një ngritje të jashtëzakonshme morale: në Serbi ia dolën. Për këdo që proteston në Shqipëri, kjo është një arsye më shumë për të besuar se mund t’ia dalin edhe këtu”, mbyll reagimin e tij Enio Jaço.






