Lista Studentore “Studentët fitojnë” ka siguruar fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga organizata për monitorimin e zgjedhjeve, CeSID, Lista Studentore ka marrë 52.1 për qind të votave, duke lënë pas partinë Aleksandar Vuçiç, e cila ka siguruar 39.3 për qind.
Edhe përllogaritja paraprake e mandateve tregon një epërsi të qartë të studentëve, të cilët pritet të kenë shumicën absolute në Parlamentin e ri të Serbisë. Lista Studentore parashikohet të marrë 138 mandate nga 250 vende gjithsej, ndërsa lista e Vuçiçit 104 mandate.
Të lidhura
None found
Këto rezultate vijnë pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili pranoi humbjen në zgjedhje, duke thënë se të dhënat paraprake tregonin një fitore të studentëve. Më herët, Vuçiç deklaroi se Lista Studentore pritej të siguronte nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa forca e tij politike rreth 105 vende në Parlament.
“Nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Shumë do të habiten dhe do ta kuptoni sa shumë gënjyen disa dhe çfarë shpikën. Dua t’ju informoj se është e qartë se në bazë të dhënave paraprake i humbëm këto zgjedhje. Lista Studentore fitoi, ata do të kenë midis 135 dhe 140 mandate, ne kemi rreth 105. Askush tjetër nuk hyri në kuvend. Përfundimisht, po, hungarezët e Vojvodinës hynë me 3 mandate, dhe me një mandat shqiptarët, dhe dua të them SDA, mos më besoni fjalën time. Pra, kemi rreth 1,720,000. Ata kanë rreth 2,200,000”, tha Vuçiç.
Pas publikimit të rezultateve paraprake, qindra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit për të festuar. Në kryeqytetin serb u ndezën flakadanë dhe u dëgjuan boritë e automjeteve, ndërsa në shtabin e Listës Studentore kandidatët dhe mbështetësit brohoritën “Fitore”. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u zhvilluan të dielën, më 25 tetor, me pjesëmarrjen e 18 listave zgjedhore.





