Pas gati një viti në mërgim dhe gjashtë përpjekjeve për t’u kthyer në Venezuelë, Maria Machado është sërish në vend: cili është hapi i saj i ardhshëm?

Maria Corina Machado, figura kryesore e opozitës venezueliane, njoftoi se është kthyer në vend, gati një vit pasi u largua për të marrë Çmimin Nobel për Paqen.

“Jam këtu. Me ty”, shkroi ajo sot në rrjetin X.

Të lidhura

None found

Mbërritjen e saj e konfirmoi edhe Edmundo Gonzalez, aleati i afërt i Machados, i cili jeton në mërgim, raportoi Guardian. “Venezuela! Jam shumë i lumtur të njoftoj se udhëheqësja jonë, Maria Corina ime e dashur, ndodhet në tokën venezueliane”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Gonzalez e cilësoi ditën si të rëndësishme për venezuelianët, duke thënë se zëri i tyre kryesor është kthyer për të udhëhequr procesin. Ai shtoi se edhe vetë do të rikthehet së shpejti në vend.

Nuk dihet ende se si Machado, 59 vjeçe, arriti të hynte në Venezuelë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale e shfaqnin në Barquisimeto, kryeqytetin e shtetit Lara, afërsisht 350 kilometra në perëndim të Karakasit. Në fotografi, mbështetësit e saj e rrethojnë brenda një kishe të quajtur Shenjtërorja e Barieshës së Shenjtë, ndërsa mbajnë telefona celularë.

Sipas raportimeve, administrata Trump ka kundërshtuar kthimin e saj, nga shqetësimi se prania e Machados mund të vështirësojë marrëdhënien e afërt që ajo ka ndërtuar me presidenten e përkohshme, Delcy Rodriguez. Kjo marrëdhënie u zhvillua pas rrëmbimit në janar të ish-shefit të Rodriguezit, presidentit venezuelian Nicolas Maduro. Machado dhe Rodriguez janë kundërshtare politike dhe kanë dallime të thella.

Machado u largua fshehurazi nga Venezuela dhjetorin e kaluar, pak javë përpara arrestimit të Maduros. Gjatë muajve të fundit, ajo raportohet se ka tentuar më shumë se gjashtë herë të kthehet, por pa ia dalë. Përpjekjet vijuan edhe pas tërmetit shkatërrues që goditi bregdetin verior në qershor.

Pas rrëzimit të Maduros, shumëkush priste që Trump t’i hapte rrugën Machados për të marrë pushtetin. Lëvizja e saj konsiderohet gjerësisht fituese e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, por Maduro nuk pranoi ta dorëzonte pushtetin.

Trump, megjithatë, nuk zgjodhi të mbështeste Machadon. Ai vendosi të bashkëpunonte me Rodriguezin, nënkryetaren e Maduros, e cila sot drejton një vend që shihet gjerësisht si nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara.


Shtuar më 25.10.2026 21:42