Shaip Kamberi, bartës i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, tha se shqiptarët kanë mundësi reale të fitojnë mandatin e dytë. Sipas tij, pasivizimi i adresave ishte ndër arsyet që penguan arritjen e mandatit të tretë.
Pak para përfundimit të votimit, Kamberi tha se po monitorohej pjesëmarrja e shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc. Ai shtoi se rezultati do të përcaktohej edhe nga numri i përgjithshëm i qytetarëve që do të votonin në Serbi.
Të lidhura
None found
Të dhënat paraprake të orës 19:00 tregonin se në 37 qendra votimi në Preshevë kishin votuar 16.600 qytetarë. Në vendvotimet shqiptare në Bujanoc, ndërkohë, kishin marrë pjesë 10.853 persona.
Kamberi e përshkroi procesin zgjedhor si përgjithësisht të rregullt, por tha se në orët e para ishin vërejtur disa parregullsi të vogla.
Duke folur për mundësinë e sigurimit të ulëses së dytë, ai vuri në dukje se rëndësi do të kishte pjesëmarrja në nivel vendi. “Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, deklaroi Kamberi.
Sipas tij, pasivizimi i adresave ka zvogëluar drejtpërdrejt potencialin zgjedhor të shqiptarëve, sepse personat e prekur janë hequr edhe nga listat e votuesve. “Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar”, u shpreh ai, duke e cilësuar këtë proces si pjesë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai përmendi veçanërisht Medvegjën, ku pasivizimi, sipas tij, ka ulur numrin e votuesve shqiptarë dhe ka kufizuar mundësitë për përfaqësim politik.
Pavarësisht pengesave, Kamberi vlerësoi angazhimin e qytetarëve shqiptarë në zgjedhje dhe falënderoi bashkatdhetarët që udhëtuan nga Kosova për të votuar. Ai tha se reagimet e ditëve të fundit të fushatës nga hapësirat shqiptare u dhanë zgjedhësve një shtysë shtesë.






