Tensione para Kryeministrisë, të rinjtë godasin me gurë autobotin e ujit

Protesta në Tiranë është shoqëruar sërish me tensione përpara Kryeministrisë. Protestuesit kanë hedhur gurë drejt autobotit të ujit të Policisë së Shtetit, të vendosur brenda perimetrit të godinës qeveritare.

Ngjarja ka ndodhur në ditën e 13-të të revoltës studentore, teksa tubimi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama vazhdon.

Të lidhura

None found

Forcat e rendit e kanë mbajtur autobotin në gatishmëri për një ndërhyrje të mundshme nëse situata përshkallëzohet. Ende nuk dihet nëse gurët e kanë dëmtuar mjetin.

Tubimi i sotëm filloi te Ministria e Arsimit, ku u hodhën gurë edhe ndaj godinës. Më pas, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë.

Përpara godinës, ata u vunë flakën karrigeve që kryeministri Rama kishte vendosur aty mëngjesin e sotëm si shenjë të ftesës së tij për dialog.

Edhe pranë Kuvendit pati tensione. Gurët e hedhur drejt efektivëve të policisë dhe godinës së Parlamentit thyen disa xhama në katin e parë.

Protesta mbahet një ditë pas plagosjes së rëndë në sy të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli nga një plumb gome. Ngjarja ka sjellë reagime të shumta dhe akuza ndaj policisë për përdorim të tepruar të forcës.

Studentët dhe qytetarët vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjendja përpara institucioneve shtetërore mbetet e tensionuar.


Shtuar më 25.10.2026 18:41