Me mbylljen e hapësirave verore, duhani vijon të konsumohet në ambiente ku nuk duhet të lejohet. Kjo ndodh sepse masat e ashpra të paralajmëruara në ligjin e ri për mbrojtjen nga duhani ende nuk kanë hyrë në fuqi.
Edhe pse hyrja në fuqi ishte paralajmëruar për 1 mars, ligji ka mbetur i bllokuar në Kuvend prej muajsh.
Të lidhura
None found
Bizneset kanë ngritur kundërshtimet më të forta ndaj këtij ligji.
Ndër qytetarët ka mendime të ndara: një pjesë e tyre kundërshton ndalimin e duhanit në kafene dhe nuk e koncepton kafen pa cigare, ndërsa të tjerë kërkojnë kushte më të mira për një ambient të sigurt për ata që nuk e pinë duhanin.
Një qytetar u shpreh: “Jo, si pse, përse është e hapur ajo kafe, kafe si do të pishë, në të ftohtë në -20C me cigare, duhet brenda sikur ish Jugosllavia. Ne ende nuk jemi në Evropë, japim zakon Evropian. Ku është kjo vetëm në Maqedoni, përse aj paguan tatim për shtetin”.
Një tjetër qytetar tha: “Unë mendoj se nuk duhet, por duhet kafenetë të kenë ventilim të mirë, ashtu që të mos pengojë për të tjerët që nuk janë duhanpirës”.
Ndërsa një tjetër shtoi: “Po, për arsye që ka njerëz që nuk janë duhanpirës dhe pengon për ata njerëz, duhet të ketë vende veçmas për duhan dhe antiduhanpirësit të pak më mirë.”
Propozim-ligji kundër duhanit është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Ai ka kaluar në lexim të dytë në Komisionin për shëndetësi, por gjatë shqyrtimit në Kuvend është zbutur krahasuar me versionin fillestar, i cili ishte dukshëm më i rreptë. Në vend të ndalimit total të duhanit në objektet gastronomike, tani parashikohen tarraca të dedikuara për pirjen e duhanit.
Këto tarraca duhet të jenë të hapura minimalisht nga dy anë dhe të kenë çati të hapur, si dhe do të ketë hyrje të ndara për ata që nuk e pinë duhanin. Bizneseve u jepet një afat prej një viti për t’u përshtatur me këto kërkesa.
Ndalimi total do të zbatohet në hapësirat e mbyllura, në stacionet e autobusëve dhe të trenave, si dhe në automjete kur në to udhëton një fëmijë. Përpara institucioneve të caktuara, duhani do të lejohet vetëm në një distancë jo më të vogël se 20 metra.
Ky ligj rregullon vetëm konsumin e duhanit, por nuk ndalon prodhimin, importin, eksportin apo shitjen e produkteve të duhanit dhe pajisjeve elektronike.







