Hoffenheimi mposht Leverkusenin në derbi, Asllani siguron penalltinë e golit të parë

Hoffenheimi regjistroi fitoren e tretë të sezonit, duke mundur Bayer Leverkusenin 3-0 në derbi. Fisnik Asllani fitoi penalltinë nga e cila erdhi goli që hapi rezultatin.

Sulmuesi shqiptar qëndroi në fushë deri në minutën e 84-t, ndërsa Leon Avdullahu luajti gjatë gjithë takimit dhe kontribuoi në suksesin e Hoffenheimit.

Të lidhura

None found

Në minutën e 78-të, pas shqyrtimit të pamjeve në VAR, gjyqtari Daniel Siebert akordoi penallti për një ndërhyrje ndaj Asllanit brenda zonës. Andrej Kramarić e ekzekutoi një minutë më pas dhe shënoi për 1-0.

Alexander Prass dyfishoi epërsinë në minutën e 89-të me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, që përfundoi në pjesën e sipërme të portës. Pas golit, ai hoqi fanellën, mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.

Edhe me një lojtar më pak, Hoffenheimi gjeti golin e tretë në minutën e 90+5-të. Max Moerstedt shfrytëzoi një top të kthyer pas një rrëmuje në zonë dhe realizoi nga afërsia, duke fiksuar rezultatin 3-0.

Kështu, Hoffenheimi mori tri pikë të rëndësishme, në një ndeshje ku Asllani siguroi penalltinë vendimtare dhe Avdullahu luajti të gjitha minutat.