Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i dëmtuar rëndë në sy gjatë protestës studentore në Tiranë, ka mbërritur në Itali për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Një ditë pas plagosjes në protestën e 24 tetorit, ku u godit në syrin e majtë nga një plumb gome, i riu ka reaguar nga spitali në Romë.
Të lidhura
None found
Vishkulli ka njoftuar se pritet t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, duke shpresuar se do të mund të ruajë shikimin.
“Sapo kam mbërritur në spitalin e Romës ‘Sancarlo’, ku do të futem për një nga operacionet e radhës! Zoti baftë mrekulli! SHQIPËRIA E SHQIPTARËVE”, shkruan ai.
Plagosja e 28-vjeçarit ka nxitur reagime të shumta. Gjatë protestës së sotme para Kryeministrisë, studentët dhe qytetarët kanë shfaqur solidaritetin me të përmes pankartave, bluzave me mbishkrimin “Të gjithë jemi Erjon Vishkulli” dhe fashimit simbolik të syrit.
Familjarët kanë sqaruar se udhëtimi i tij drejt Italisë u bë i mundur nga familja, miqtë dhe mbështetësit e tyre, duke mohuar se transferimi ishte organizuar nga shteti.
Motra e Erjon Vishkullit u ka kërkuar mediave të mos e shfrytëzojnë këtë rast për propagandë politike dhe ka shprehur dëshirën që vëllai i saj të rikthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.





