Trump zbulon planin e Audi-t për një investim prej 4.2 miliardë dollarësh në SHBA

Donald Trump bëri të ditur se prodhuesi gjerman i automjeteve Audi planifikon të hapë një fabrikë në Xhorxhia, si pjesë e përpjekjeve për të rritur prodhimin industrial në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një tubimi elektoral në Perry të Xhorxhias, presidenti amerikan deklaroi se Audi, marka luksoze e Volkswagen, do të investojë 4.2 miliardë dollarë në zonën e Macon. Sipas tij, kapaciteti i fabrikës do të jetë 200 mijë automjete në vit.

Të lidhura

None found

Trump tha se ky vendim është ndikuar nga politika e tij tarifore.

Projekti pritet të sjellë rreth 4,500 vende të reja pune, bëri të ditur kompania.

Punimet për ndërtimin e uzinës janë planifikuar të fillojnë në vitin 2027, ndërsa prodhimi pritet të nisë në fillim të viteve 2030.

Gernot Döllner, kryetari i bordit drejtues të Audi-t, i cili u shfaq në skenë së bashku me Trumpin, deklaroi se në fabrikë do të prodhohen SUV-të më të mëdha dhe më luksoze të kompanisë.

Njoftimi u bë në një periudhë të rëndësishme për republikanët, që synojnë të mbajnë shumicat në Kongres gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit, ndërsa votuesit shprehin pakënaqësi për kostot e larta dhe luftën e vazhdueshme në Iran.

Rick Jackson, kandidati republikan për guvernator të Xhorxhias, falënderoi Trumpin dhe e përshkroi investimin si një marrëveshje me rëndësi të madhe ekonomike për shtetin. /Telegrafi/


Shtuar më 25.10.2026 14:35