Një vaksinë e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale nga studiues të Universitetit të Cambrige mund të mbrojë ndaj një grupi të gjerë virusesh dhe të ndihmojë në përgatitjen për pandemi të mundshme në të ardhmen.
Sipas ekipit kërkimor, për herë të parë përbërësi kryesor i një vaksine është projektuar tërësisht nga inteligjenca artificiale dhe më pas është testuar te njerëzit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Të lidhura
None found
Vaksina synon të ofrojë mbrojtje ndaj varianteve ekzistuese të Covid-19, si dhe ndaj koronavirusëve që qarkullojnë aktualisht te kafshët dhe mund të kalojnë te njerëzit në të ardhmen.
Për krijimin e saj, studiuesit përdorën të dhëna gjenetike për shumë koronavirusë, të mbledhura përmes programeve globale të monitorimit. Inteligjenca artificiale i analizoi këto të dhëna dhe projektoi një “super-antigjen”, që synon ta mësojë sistemin imunitar të identifikojë e të luftojë një familje të tërë virusesh, përfshirë edhe ato me mutacione të reja.
Shkencëtarët theksojnë se vaksinat tradicionale shpesh nuk arrijnë të ndjekin ritmin e mutacioneve, ndaj duhet të përditësohen vazhdimisht. Ekipi synon të zhvillojë vaksina që mund të parashikojnë dhe neutralizojnë kërcënime shëndetësore që mund të shfaqen më vonë.
Faza e parë e testimit u zhvillua te 39 persona dhe kishte si qëllim vlerësimin e sigurisë së vaksinës. Një studim tjetër, ku pritet të marrin pjesë rreth 200 persona, do të sjellë më shumë të dhëna për aftësinë e saj për të forcuar sistemin imunitar.
Megjithëse reagimi imunitar në rezultatet e para ishte i moderuar, përparimi është pritur me optimizëm nga komuniteti shkencor. Profesori Saul Faust, nga Universiteti i Southamptonit, tha se teknologjia e bazuar në inteligjencën artificiale ka potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e vaksinave kundër pandemive të ardhshme.
Studiuesit po hulumtojnë gjithashtu vaksina universale kundër gripit sezonal, gripit të shpendëve H5N1 dhe sëmundjeve virale të rrezikshme, si Ebola.
Sipas ekspertëve, inteligjenca artificiale mund të bëhet një ndër mjetet kyçe të kërkimit mjekësor, duke shkurtuar kohën e zhvillimit të vaksinave dhe duke ndihmuar në shpëtimin e miliona jetëve në të ardhmen. Zyrtarët britanikë dhe drejtues të institucioneve shkencore e kanë vlerësuar projektin si një arritje të rëndësishme të shkencës moderne. Ata nënvizojnë se rezultatet pozitive të fazës së parë mund të çojnë në një etapë të re të luftës kundër sëmundjeve infektive.







