Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, reagoi kundër dhunës së raportuar ndaj qytetarëve gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë.
Në një prononcim për News24, Salianji deklaroi se kryeministri Edi Rama po përpiqet ta ruajë pushtetin me çdo mjet. Ai i kërkoi kreut të qeverisë të shkojë te protestuesit dhe të komunikojë drejtpërdrejt me qytetarët.
Të lidhura
None found
Gjatë intervistës, ish-deputeti përmendi rastet e dhunës së pretenduar nga policia, duke u ndalur veçanërisht te i riu që u qëllua në sy me plumb gome.
Salianji tha se përshkallëzimi i situatës po nxitet për arsye personale politike nga kryeministri. Ai e bëri qeverinë përgjegjëse për vjedhjen dhe varfërimin e vendit përgjatë 14 viteve të fundit.
Sipas tij, pushteti ndodhet në një moment të vështirë dhe po reagon gjithnjë e më ashpër ndaj protestave, çka sipas Salianjit tregon se ai është në grahmat e fundit.
“Prej javësh, për shkak të pushtetit të disa maskarenjve, po zhvillohet një gjueti njerëzore, me rrahje dhe dhunë ndaj qytetarëve. Një i ri u godit në sy. Po bëhet gjithçka për të ruajtur pushtetin. Rama po përpiqet t’i vërë flakën të gjithë Shqipërisë për interesin e tij personal. Ky është turpi i Shqipërisë. Zyrtarët dhe ministrat e tij janë inekzistentë. Këta e kanë vjedhur dhe varfëruar vendin për 14 vjet dhe qytetarët nuk mund ta durojnë më. Ky pushtet është në grahmat e fundit dhe, si çdo regjim në fundin e tij, po reagon në mënyrë ekstreme, por përfundimi do të jetë i shpejtë. Nëse Rama kërkon dialog, përse nuk del në shesh, kur protestuesit janë aty, që të flasë me qytetarët? Policia e Shtetit nuk paguhet për të rrahur qytetarët dhe për të zhvilluar gjueti njerëzore”, u shpreh Salianji.



