Protesta e mbajtur të shtunën, më 24 tetor, në Tiranë është pasqyruar edhe nga media amerikane “Bloomberg”, e cila i ka kushtuar vëmendje shtimit të thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe përplasjeve të protestuesve me forcat e Policisë.
“Bloomberg” raporton se tubimet e drejtuara nga studentët kanë vijuar prej rreth dy javësh në kryeqytet. Sipas medias, ato janë pjesë e një lëvizjeje që u shfaq disa muaj më parë, në kundërshtim me planet për ndërtimin e një resorti luksoz.
Të lidhura
None found
Në protestën e zhvilluar të shtunën morën pjesë shumë qytetarë. Krahas studentëve, në tubim u përfshinë pedagogë universitetesh, mësues, politikanë të opozitës dhe figura të tjera publike.
Raportimi përfshin edhe situatën e tensionuar në bulevardin kryesor të Tiranës. Protestuesit hodhën gurë dhe sende drejt policisë, ndërsa disa kosha mbeturinash u dogjën. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome, ndërsa përplasjet u shtrinë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.
Para zhvillimit të protestave, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po përgatiste masa për t’iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve për koston e jetesës, strehimin dhe mundësitë ekonomike.
Media amerikane thekson se problematikat e ngritura nga protestuesit kanë ngjashmëri me ato që kanë nxitur lëvizje proteste edhe në Francë.
Pasqyrimi i “Bloomberg” e ka vendosur protestën e 24 tetorit në fokusin e medias ndërkombëtare, ndërsa në Tiranë vazhdojnë tubimet dhe shtohen kërkesat politike ndaj qeverisë.




