U plagos në sy me plumb gome, Bardhi kërkon identifikimin e autorit: Prokuroria të veprojë, po lufton në operacion të shpëtojë shikimin

Gazment Bardhi ka reaguar për plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës, duke kërkuar që personi përgjegjës për goditjen e të riut me një fishek të dyshuar gome të identifikohet sa më parë.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së bën me dije se Vishkulli ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në syrin e majtë, në përpjekje për të shpëtuar shikimin. I riu është i njohur për pasionin e tij si tifoz ultras i Kombëtares shqiptare dhe i ekipit të Elbasanit.

Të lidhura

None found

Reagimi i Bardhit:

Prokuroria e Tiranës duhet të veprojë menjëherë, pa asnjë vonesë, për të identifikuar urdhëruesin dhe autorin e këtij akti makabër, të qëllimit me plumb në sy ndaj një të riu, i cili në këto momente po lufton në sallën e operacionit për të shpëtuar shikimin në syrin e majtë.

Sot, jo nesër!

Kushdo që ka urdhëruar dhe kushdo që ka kryer këtë akt të rëndë duhet të identifikohet, të vihet përpara drejtësisë dhe të arrestohet pa asnjë vonesë, në përputhje me ligjin. Nesër mund të jetë tepër vonë. Prokuroria dhe organet ligjzbatuese duhet të dëshmojnë me veprime konkrete se jeta dhe shëndeti i çdo qytetari janë të shenjta dhe se askush nuk është mbi ligjin kur cenon të drejtat dhe integritetin fizik të një të riu!

Erion Vishkuli është një i ri patriot, tifoz ultras i Kombëtares dhe i Elbasanit, i cili protestonte për një Shqipëri më të mirë. Ai nuk ka kryer asnjë krim dhe nuk ka bërë asnjë faj që të justifikojë një dhunë të tillë. Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë një akt të tillë makabër.

Në këto momente të rënda, lutemi të gjithë për shëndetin e Erionit dhe për rikuperimin e tij të plotë. Jemi pranë tij dhe familjes së tij, me solidaritet dhe mbështetje të pakushtëzuar.

Drejtësi për Erionin! Asnjë vonesë, asnjë tolerim, askush mbi ligjin!


Shtuar më 24.10.2026 21:21