Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë apel shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë në zgjedhjet e nesërme dhe votën e tyre ta japin për “Koalicionin Shqiptar”, i cili mban numrin 17.
Në një postim të publikuar prej saj, Haxhiu ka përshëndetur vendimin e partive shqiptare për të garuar së bashku në një listë të përbashkët. Ajo ka vënë në dukje se ky bashkim është i rëndësishëm për përfaqësimin politik dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Të lidhura
None found
Thirrja e saj u është drejtuar edhe shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, por që gëzojnë të drejtën për të votuar, duke i ftuar ata të udhëtojnë dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Postimi i plotë:
Nesër, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në parlament. Për Luginën, kjo është një ditë me rëndësi të veçantë.
Partitë shqiptare në këto komuna kanë vendosur të bashkohen dhe të garojnë me një listë të vetme, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”. Tashmë përgjegjësia u takon qytetarëve të Luginës, të cilët duhet ta mbështesin fuqishëm këtë bashkim.
Kosova i përcjell me vëmendje të posaçme zhvillimet në Luginë. Për ne mbeten me rëndësi përfaqësimi politik i shqiptarëve atje, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe reagimi ndaj çdo padrejtësie që u bëhet.
Për këtë arsye, Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Luginës që nesër të dalin në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre. Ajo ka inkurajuar gjithashtu shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë vote, që të udhëtojnë drejt Luginës për të marrë pjesë në zgjedhje.
Zëri i Luginës do të shprehet nesër përmes fletëvotimit, ndërsa vota për numrin 17 është votë për “Koalicionin Shqiptar”.
Luginë, Kosova është me ty!






