Mbi 1 miliard euro janë zotuar nga Qeveria e Kosovës për investime në ushtri gjatë mandatit aktual. Ekzekutivi njofton gjithashtu se objektivat për kapacitetet ushtarake, të parashikuara për vitin 2028, pritet të përmbushen dy vjet përpara afatit.
Në fushën e armatimit, sipas njoftimit qeveritar, blerjet e realizuara tejkalojnë vlerën e 430 milionë eurove. Për mbështetjen nga ajri shërbejnë dronët Bayraktar dhe SkyDagger, ndërsa arsenali tokësor i Forcës së Sigurisë së Kosovës përbëhet nga mbi 40 lloje armatimi të rëndë e të lehtë.
Të lidhura
None found
Duke iu referuar mandatit të kaluar, Qeveria bën të ditur se buxheti ushtarak u trefishua dhe në FSK u rekrutuan 3 mijë e 220 ushtarë të rinj. Me këto rekrutime, numri i pjesëtarëve u rrit më shumë se dyfish.
Gjatë këtij viti pritet të fillojë trajnimin edhe një gjeneratë tjetër, njofton Qeveria, duke e lidhur këtë hap me synimin për t’i përmbushur më shpejt objektivat strategjike të FSK-së.
Në njoftim, Qeveria e Kosovës thekson vendosmërinë për ta kompletuar gjithnjë e më shumë ushtrinë, proces që, sipas saj, po vijon çdo ditë. Si synime të qarta ajo përcakton mbrojtjen e atdheut dhe anëtarësimin e ushtrisë në NATO.







