Rainer Rudolph, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, tha se Milan Radoiçiqi dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi për sulmin e armatosur në Banjskë duhet të përgjigjen para drejtësisë.
Në një deklaratë për KosovaPress, ai kujtoi se Gjermania e ka shprehur në disa raste qëndrimin e saj lidhur me përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Sipas Rudolphit, Radoiçiqi dhe personat e tjerë përgjegjës duhet të dalin para gjykatës.
Të lidhura
None found
I pyetur për zgjedhjet në Serbi, ku shqiptarët po garojnë të bashkuar, si dhe për raportimet mbi presionin dhe propagandën gjatë fushatës, ambasadori tha se nuk do të komentojë proceset e brendshme serbe. Ai shprehu megjithatë shpresën se do të krijohen kushtet për përparim në dialogun Kosovë–Serbi, për marrëdhënie më të mira mes dy vendeve dhe, përfundimisht, për normalizimin e tyre të plotë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe ka si synim normalizimin e marrëdhënieve. Zbatimi i marrëveshjeve të arritura, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023, mbetet ndër sfidat e procesit. BE-ja u ka kërkuar vazhdimisht të dyja palëve të përmbushin zotimet, të mos ndërmarrin hapa që shtojnë tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për ta çuar përpara normalizimin.





