Parlamenti grek ka miratuar të premten projektligjin që u ndalon personave nën 15 vjeç aksesin në rrjetet sociale, duke e renditur Greqinë mes vendeve që po marrin masa kufizuese për përdorimin e këtyre platformave nga të miturit.
Miratimi u bë me votat e shumicës parlamentare të Demokracisë së Re, partisë në pushtet të drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Projektligji nuk mori mbështetjen e partive të tjera politike, pas një debati të ashpër që kishte nisur një ditë më parë.
Të lidhura
None found
Dispozitat e reja do të fillojnë të zbatohen më 1 janar 2027. Sipas ligjit, platformat sociale do të kenë detyrimin të kontrollojnë moshën e përdoruesve, ndërsa mosrespektimi i rregullave do të shoqërohet me sanksione të ashpra.
Mitsotakis i kishte bërë të ditura planet e qeverisë që në prill. Në një video të publikuar në “TikTok”, platformë shumë e përdorur nga të rinjtë në Greqi, kryeministri e përshkroi kufizimin si një masë “të vështirë, por të nevojshme”.
Sipas qeverisë, qëllimi është reduktimi i ekspozimit të fëmijëve ndaj ndikimeve të dëmshme të rrjeteve sociale dhe rritja e mbrojtjes së tyre në hapësirën digjitale.
PASOK-u, partia socialiste në opozitë, zgjodhi të abstenojë. Ajo kishte paraqitur një propozim alternativ, që parashikonte ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç dhe vendosjen e kontrolleve prindërore për moshat 13 dhe 14 vjeç.
Megjithatë, iniciativa e qeverisë kaloi pa votat e forcave të tjera parlamentare. Me këtë hap, Greqia bëhet pjesë e një grupi prej rreth 20 shtetesh që kanë miratuar ose janë duke përgatitur kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë.
Mes vendeve që kanë vendosur ose po shqyrtojnë masa të ngjashme janë Australia, Franca, Brazili, Indonezia, Austria, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar.
Përkrahësit e këtyre kufizimeve thonë se algoritmet e platformave janë projektuar për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë përpara ekranit. Ata paralajmërojnë se përdorimi i tepërt mund të dëmtojë shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Nga ana tjetër, kundërshtarët shprehin dyshime për mënyrën e zbatimit të ndalimit, efektivitetin e tij në praktikë dhe mundësinë që të miturit ta anashkalojnë atë.
Kur ligji të hyjë në fuqi në vitin 2027, Greqia pritet të vendosë një nga kufizimet më të drejtpërdrejta ndaj aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale, ndërsa diskutimi për sigurinë digjitale dhe ndikimin e platformave online te të rinjtë po zgjerohet në të gjithë botën.







